Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, vizituan sot Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), ku u takuan me Ushtruesin e Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm, Shpend Shabani.
Gjatë vizitës, Ministrja Gërvalla u njoftua me punën, zhvillimin dhe të arriturat kryesore të Akademisë, përfshirë programet, akreditimin institucional, akreditimin ndërkombëtar si dhe hapësirat e trajnimit teorik dhe praktik të gjeneratës së re të zyrtarëve korrektues.
Me këtë rast, Ministrja Gërvalla vlerësoi rolin e Akademisë për Siguri Publike në përgatitjen profesionale të zyrtarëve të institucioneve të sigurisë.
“Akademia e Kosovës për Siguri Publike mbetet institucion kyç në ngritjen e standardeve të trajnimit dhe profesionalizimit në fushën e sigurisë publike. Vlerësova punën dhe përkushtimin e Akademisë në ngritjen e vazhdueshme të cilësisë së trajnimeve, me theks te sfidat bashkëkohore të sigurisë që kërkojnë investim të vazhdueshëm në dije, aftësi profesionale dhe kapacitete njerëzore”, deklaroi Ministrja Gërvalla.
Ministrja Gërvalla dhe Drejtori Dibrani vizituan edhe ambientet e Akademisë, ku u prezantuan investimet dhe ambientet për zhvillimin e procesit teorik dhe praktik.
“Institucionet e forta ndërtohen mbi profesionistë të përgatitur mirë, ndërsa siguria publike kërkon gatishmëri për t’iu përgjigjur si sfidave tradicionale, ashtu edhe atyre që burojnë nga hapësira digjitale dhe teknologjitë e reja”, tha Ministrja Gërvalla.
Gjatë vizitës, Ministrja Gërvalla takoi gjithashtu edhe gjeneratën e re të kadetëve të cilët janë duke ndjekur trajnimet për t’u bërë pjesë e Shërbimit Korrektues të Kosovës.
“Me këtë rast, përgëzova gjeneratën e re të kadetëve për rrugëtimin që kanë zgjedhur dhe i inkurajova që profesionin e tyre ta ushtrojnë me integritet, përgjegjësi dhe përkushtim ndaj shërbimit publik. Shërbimi Korrektues është padyshim një hallkë e rëndësishme e sistemit të drejtësisë dhe sigurisë, ndërsa profesionalizmi i zyrtarëve brenda këtij institucioni mbetet garanci për funksionimin e një shteti demokratik dhe të së drejtës”, tha Ministrja Gërvalla.