Në vazhdën e vizitave në insitucionet e drejtësisë, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, vizitoi sot Gjykatën Themelore në Mitrovicë, ku u prit nga Ushtruesi i Detyrës së Kryetarit, Bekim Veliqi.
Gjatë vizitës, Ministrja Gërvalla theksoi se reforma në drejtësi mbetet një proces i vazhdueshëm, me synim përmirësimin e funksionimit të institucioneve dhe rritjen e efikasitetit në të gjitha hallkat e sistemit, si pjesë e forcimit të sundimit të ligjit.
“Një sistem gjyqësor i besueshëm nuk matet vetëm me ligjet që ka në fuqi, por me aftësinë për t’i zbatuar ato në kohë, me profesionalizëm dhe pa vonesa. Pikërisht për këtë, forcimi i kapaciteteve institucionale mbetet një ndër kushtet themelore për garantimin e drejtësisë efektive”, deklaroi Ministrja Gervalla.
Më tej, ajo nënvizoi rëndësinë e pavarësisë dhe përgjegjësisë së institucioneve të drejtësisë.
“Pavarësia institucionale dhe përgjegjësia profesionale nuk janë privilegje të sistemit, por detyrime ndaj qytetarëve dhe Republikës. Sa më të forta institucionet e drejtësisë, aq më i fortë shteti i së drejtës dhe besimi i qytetarëve në të”, deklaroi Ministrja Gërvalla.
Në përmbyllje të vizitës, Ministrja Gërvalla vlerësoi angazhimin e gjyqtarëve dhe stafit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, duke ritheksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm institucional për avancimin e sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës.
“Drejtësia e fortë është garancia më e sigurt e Republikës, dhe nuk ka shtet të fortë pa institucione të forta të drejtësisë”, tha Ministrja Gërvalla.