Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla së bashku me Zëvendësministrin e Drejtësisë, Genc Nimoni sot zhvilloi një takim me Kryesuesin e ri të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Rrustem Thaqi.
Me këtë rast, Ministrja Gërvalla dhe Zëvendësministri Nimoni, e uruan Kryesuesin Thaqi për detyrën e re, duke i dëshiruar suksese në ushtrimin e mandatit dhe në përmbushjen e përgjegjësive në funksion të forcimit të sistemit gjyqësor.
Gjatë takimit, Ministrja Gërvalla theksoi rëndësinë e forcimit të koordinimit institucional dhe bashkëpunimit të pandërprerë ndërmjet institucioneve të drejtësisë,
“Forcimi i koordinimit institucional dhe funksionimi i pandërprerë i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të drejtësisë mbeten shtylla kyçe të një sistemi që synon standarde më të larta të efikasitetit dhe besueshmërisë publike”, tha Ministrja Gërvalla.
Ajo tha se avancimi i reformave në drejtësi kërkon përkushtim të përbashkët dhe angazhim të vazhdueshëm institucional.
“Përkushtimi i përbashkët për avancimin e reformave në drejtësi, në përputhje me zotimet dhe përgjegjësitë institucionale, përmes thellimit të reformave dhe forcimit të kapaciteteve, mbetet thelbësor për garantimin e zbatimit të qëndrueshëm të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës, në funksion të parimit se kur ligji sundon, Republika fiton”, deklaroi Ministrja Gërvalla.
Po ashtu, u diskutua edhe për çështje të tjera me interes të përbashkët, të cilat synojnë rritjen e efikasitetit të institucioneve të drejtësisë dhe avancimin e mëtejmë të sistemit gjyqësor në Republikën e Kosovës.