Në cilësinë e Koordinatores Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, zhvilloi sot një takim me Ushtruesen e Detyrës të Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu.
Gjatë takimit, Koordinatorja Kombëtare Gërvalla e informoi U.D. të Presidentes znj. Haxhiu, për zhvillimet në kuadër të mandatit të saj, përfshirë mbajtjen e takimit të parë të Grupit Koordinues për mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore, si dhe takimin e përbashkët të mbajtur me organizatat joqeveritare dhe strehimoret që ofrojnë mbështetje për viktimat e dhunës.
Ministrja Gërvalla dhe U.D. e Presidentes znj. Haxhiu konfirmuan përkushtimin e përbashkët institucional për zero tolerancë ndaj dhunës, si dhe për forcimin e mekanizmave të luftimit të dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore, në mënyrë që të krijohet një mjedis i sigurtë për kategoritë më të cenueshme të shoqërisë.
Po ashtu, u nënvizua rëndësia e koordinimit të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe të bashkëpunimit me shoqërinë civile, me qëllim të avancimit të politikave dhe mekanizmave që garantojnë mbrojtje efektive për viktimat dhe parandalimin e të gjitha formave të dhunës.