Skip to content
Ministrja Gërvalla vizitoi Gjykatën Themelore në Mitrovicë- Dega në Skenderaj

Ministrja Gërvalla vizitoi Gjykatën Themelore në Mitrovicë- Dega në Skenderaj

Prishtinë, 01/07/2026
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, sot ka vizituar Gjykatën Themelore në Mitrovicë- Dega në Skenderaj, ku është pritur në takim nga Ushtruesi i Detyrës së Gjyqtarit Mbikëqyrës, z. Valon Hajdini, i shoqëruar nga gjyqtarë dhe përfaqësues të stafit administrativ të kësaj dege.
Gjatë takimit, Ministrja Gërvalla u informua nga afër për gjendjen dhe performancën e degës, ngarkesën me lëndë, efikasitetin në trajtimin e tyre, sfidat me të cilat përballet institucioni, si dhe masat e ndërmarra për uljen e numrit të lëndëve të pazgjidhura.
“Reforma në drejtësi nuk është premtim politik, por një domosdoshmëri shtetërore. Pakoja e pesë ligjeve të reformës në drejtësi, procesi i Vetingut dhe funksionalizimi i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme përbëjnë shtyllat kryesore të ndërtimit të një sistemi drejtësie më të përgjegjshëm, më të besueshëm dhe më të drejtë për qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha Ministrja Gërvalla.
Tutje, ajo tha se Republika e Kosovës nuk mund të ndërtohet mbi pandëshkueshmërinë dhe as të ecë përpara me institucione të dobëta.
“Drejtësia duhet të jetë e fortë, profesionale dhe e pakompromis ndaj paligjshmërisë, sepse vetëm kështu forcohet besimi i qytetarëve dhe konsolidohet vetë Republika”, deklaroi Ministrja Gërvalla.
Në fund, Ministrja Gërvalla theksoi se reforma në drejtësi është e paalternativë, ndërsa pandëshkueshmëria nuk është opsion për një shtet të së drejtës.
Skip to content