Me rastin e 36-vjetorit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, ka kujtuar një nga aktet më të rëndësishme në historinë moderne të Kosovës, i cili, sipas saj hodhi gurin e parë themeltar të Republikës së Kosovës.
“Me 2 korrik të vitit 1990, delegatët e Kuvendit të Kosovës, në kushte të jashtëzakonshme, nën kërcënimin e armëve të njësive speciale të policisë, duke mos u lejuar të futen në objektin e Kuvendit të Kosovës, shprehën vullnetin e popullit të Kosovës përmes një deklarate me të cilën Kosova shpallet njësi e barabartë në federatën/konfederatën jugosllave”, tha ministrja Gërvalla duke shtuar se në këtë mënyrë delegatët guximtarë të asaj kohe hodhën gurin e parë themeltar të shtetësisë sonë moderne dhe e orientuan në mënyrë të pakthyeshme Kosovën drejt Republikës.
Tutje, Ministrja Gërvalla rikujtoi se Deklarata e 2 Korrikut u bë boshti politik dhe juridik mbi të cilin u ndërtuan institucionet e Republikës, u organizua rezistenca civile, u forcua mobilizimi kombëtar dhe u mbajt gjallë aspirata e qytetarëve të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci.
“Sot, Republika e Kosovës qëndron si dëshmia më e fuqishme se vizioni i 2 Korrikut ishte i drejtë, i guximshëm dhe historikisht i pandalshëm”, tha Ministrja Gërvalla.
Ajo theksoi se nderimi më i mirë për delegatët e 2 Korrikut është forcimi i vazhdueshëm i shtetit, mbrojtja e demokracisë dhe avancimi i Republikës, për të cilën ata morën përsipër një përgjegjësi historike në një nga momentet më vendimtare të historisë sonë kombëtare.