Në Ministrinë e Drejtësisë u mbajt takimi i parë i Grupit Punues për hartimin dhe finalizimin e Projekt-aktit nënligjor për ndarjen e Çmimit “Sali Çekaj”, përmes të cilit do të përcaktohen baza ligjore, procedurat dhe kriteret për ndarjen e këtij çmimi, dedikuar personaliteteve që kanë dhënë kontribut të veçantë në zhvillimin dhe avancimin e sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës.
Në takim mori pjesë edhe Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, e cila theksoi rëndësinë që një çmim me peshën dhe simbolikën e Çmimit “Sali Çekaj” të mbështetet mbi një bazë të qartë ligjore, e cila do të sigurojë vazhdimësinë dhe integritetin e tij institucional.
Ministrja Gërvalla vlerësoi figurën e Sali Çekajt si shumëdimensionale, duke shtuar se përmes këtij çmimi Ministria e Drejtësisë ka mundësinë të nderojë juristët dhe profesionistët e drejtësisë që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontribut të çmuar në reformimin dhe fuqizimin e sistemit të drejtësisë.
Gjatë takimit, anëtaret e grupit punues theksuan nevojën që projekt-akti nënligjor të krijojë një kornizë të qartë ligjore, e cila do të përcaktojë standarde objektive dhe transparente për ndarjen e çmimit, duke garantuar që procesi i vlerësimit të mbështetet në parimet e meritës, integritetit profesional, paanshmërisë dhe barazisë së kandidatëve.
Hartimi i këtij projekt-akti nënligjor synon të institucionalizojë ndarjen e Çmimit “Sali Çekaj”, duke siguruar që ky vlerësim të vazhdojë të ndahet mbi baza të qarta ligjore dhe sipas standardeve më të larta të transparencës, objektivitetit dhe meritokracisë.