Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, e ka cilësuar dëshmi të krimeve të kryera nga shteti gjenocidal serb, zbulimin e lokacionit të tretë me gjetje të mbetjeve mortore, pas dy varrezave të para masive të cilat u zbuluan para disa ditësh.
“Kjo gjetje dëshmon edhe një herë për krimet e kryera nga shteti gjenocidal serb, ku mijëra civilë të pafajshëm përfshirë gra dhe fëmijë u vranë, u zhdukën dhe u dhunuan, ndërsa afro një milion të tjerë u dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre”, tha Ministrja Gërvalla duke theksuar rëndësinë e trajtimit me seriozitet të çdo informacioni që mund të kontribuojë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ajo shtoi se përpjekjet për fshehjen e viktimave dhe zhdukjen e gjurmëve të krimit, kanë zgjatur dhimbjen e familjeve dhe e kanë bërë kërkimin e së vërtetës një detyrim që vazhdon edhe sot.
“Republika e Kosovës nuk do të ndalet së kërkuari derisa të zbardhet fati i personit të fundit të zhdukur me dhunë dhe do të vazhdojë t’u ofrojë mbështetje të plotë institucioneve dhe profesionistëve të angazhuar në këtë proces”, deklaroi Ministrja Gërvalla duke shtuar se asnjë informacion dhe asnjë lokacion i dyshuar nuk mund të mbetet pa u trajtuar me seriozitetin më të madh.
Puna në terren, siç tha Ministrja, duhet të vazhdojë pa pengesa dhe çdo informacion relevant duhet të trajtohet deri në shterimin e plotë të tij me seriozitetin dhe profesionalizmin më të lartë.
“Nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa të vërtetën, nuk mund të ketë drejtësi pa përgjegjësi dhe nuk mund të ketë harresë përballë krimeve të kryera”, përmbylli Ministrja Gërvalla.