Skip to content
Ministrja Gërvalla dënon vrasjen e 25-vjeçares në Malishevë: Të hetohet çdo rrethanë pa kompromis

Ministrja Gërvalla dënon vrasjen e 25-vjeçares në Malishevë: Të hetohet çdo rrethanë pa kompromis

Prishtinë, 24/08/2026
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, ka dënuar fuqishëm vrasjen e rëndë të një gruaje 25-vjeçare në fshatin Kërvasari të Malishevës, duke kërkuar hetim të plotë, të shpejtë dhe pa kompromis nga organet e drejtësisë dhe të sigurisë.
“E dënoj fuqishëm vrasjen e rëndë të gruas 25-vjeçare në Kërvasari të Malishevës. Dhuna ndaj grave është krim dhe ndaj saj do të ketë zero tolerancë”, ka deklaruar Gërvalla.
Tutje, Ministrja Gërvalla kërkoi që të zbardhen të gjitha rrethanat e rastit dhe përgjegjësit të përballen me drejtësinë.
“Në këtë moment dhimbjeje dhe tronditjeje, kërkojmë nga organet e drejtësisë dhe të sigurisë hetim të plotë, të shpejtë dhe pa asnjë kompromis, në mënyrë që të zbardhet çdo rrethanë e kësaj ngjarjeje dhe përgjegjësit të përballen me drejtësinë”, theksoi Ministrja Gërvalla.
Ajo tha se dhuna ndaj grave nuk mund të trajtohet si çështje private apo konflikt familjar.
“Dhuna ndaj grave nuk është çështje private. Nuk është konflikt familjar. Nuk është ‘punë e shtëpisë’. Dhuna ndaj grave është krim dhe ndaj saj do të ketë zero tolerancë. Asnjë grua nuk duhet të humb jetën në vendin që do të duhet të ishte më i sigurtë për të, në shtëpinë e saj”, tha Ministrja Gërvalla.
Ministrja Gërvalla ka vënë në dukje se rasti përbën një tjetër alarm të rëndë për shoqërinë dhe institucionet, duke theksuar nevojën për veprim dhe parandalim të dhunës përpara se ajo të bëhet e pakthyeshme.
“Nuk mjafton të reagojmë pasi të humbet një jetë. Duhet të parandalojmë dhunën përpara se ajo të bëhet e pakthyeshme”, deklaroi ajo.
Në cilësinë e Koordinatores Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore, Ministrja Gërvalla ka kërkuar nga të gjitha institucionet përgjegjëse që ta trajtojnë rastin me seriozitetin maksimal dhe të hetojnë çdo rrethanë të tij.
“Një grua është vrarë. Përballë dhunës ndaj grave nuk mund të ketë heshtje, arsyetime apo indiferencë. Ka vetëm një përgjigje, drejtësi dhe vetëm drejtësi dhe zero tolerancë ndaj dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore”, ka deklaruar Ministrja Gërvalla.
Në fund, Ministrja Gërvalla ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e viktimës.
“Ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve. Me mendje e zemër jam me ta në këto momente të rënda dhe me të gjithë ata që po përballen me këtë humbje të madhe”, tha Ministrja Gërvalla.
Skip to content