Skip to content
Kryeministri Kurti dhe Ministrja Gërvalla vizituan Institutin e Mjekësisë Ligjore: Katër mostra të ADN-së nga mbetjet mortore të gjetura në Jabukë janë dërguar për analizë në Hagë

Kryeministri Kurti dhe Ministrja Gërvalla vizituan Institutin e Mjekësisë Ligjore: Katër mostra të ADN-së nga mbetjet mortore të gjetura në Jabukë janë dërguar për analizë në Hagë

Prishtinë, 27/08/2026
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, dhe Zëvendësministrin në detyrë, Genc Nimoni, vizituan sot Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), ku u njohën nga afër me procesin e punës në hapësirat ku gjenden mbetjet mortore që dyshohet se u përkasin së paku 23 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Mbetjet mortore të gjetura në tri lokacione në fshatrat Kalludër dhe Jabukë, në komunën e Zubin Potokut, tashmë janë në fazën e ekzaminimeve dhe procedurave të mëtejshme profesionale për identifikim dhe dokumentim, ndërsa katër mostra të ADN-së nga mbetjet mortore të gjetura në Jabukë janë dërguar për analizë në Hagë.
Që nga përfundimi i luftës në Kosovë janë kryer rreth 2,700 gërmime, ndërsa vetëm gjatë këtij viti, nga 17 gërmime të realizuara, janë gjetur gjithsej 30 mbetje mortore.
Gjatë vizitës, u vlerësua investimi prej mbi 814 mijë eurosh në Institutin e Mjekësisë Ligjore, i cili ka mundësuar modernizimin e infrastrukturës, rritjen e sigurisë dhe funksionalitetit të objektit, si dhe krijimin e kushteve më të mira për ofrimin e shërbimeve mjeko-ligjore.
Në kuadër të këtij investimi janë rehabilituar dhe modernizuar salla e autopsisë, laboratorët e Toksikologjisë, Histopatologjisë dhe Antropologjisë. Po ashtu, është krijuar një arkiv modern dhe hapësirë e përshtatshme për ruajtjen e dëshmive, si dhe janë përmirësuar hapësirat për ekzaminime klinike mjeko-ligjore.
Skip to content