Skip to content
Ministrja Gërvalla dënon nderimet shtetërore në Beograd për Ratko Mlladiqin: Fyerje ndaj viktimave, përbuzje ndaj drejtësisë ndërkombëtare dhe akt të hapur të rehabilitimit politik të një ideologjie kriminale

Ministrja Gërvalla dënon nderimet shtetërore në Beograd për Ratko Mlladiqin: Fyerje ndaj viktimave, përbuzje ndaj drejtësisë ndërkombëtare dhe akt të hapur të rehabilitimit politik të një ideologjie kriminale

Prishtinë, 08/09/2026
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, përmes një reagimi ka dënuar nderimet shtetërore dhe ushtarake të zhvilluara në Beograd me rastin e varrimit të Ratko Mlladiqit, i dënuar për gjenocid në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Në reagimin e saj, Ministrja Gërvalla ka kritikuar pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të institucioneve të Serbisë në ceremoninë e varrimit, duke kundërshtuar në veçanti pjesëmarrjen e Ministrit të Drejtësisë së Serbisë.
“Trupi i një krimineli u soll nga Haga në Beograd me avion shtetëror.
Dhe shkoi ministri i Drejtësisë i Serbisë, Nenad Vujiq, i njëjti njeri që javë më parë premtoi publikisht “nderime të larta shtetërore dhe ushtarake” për një person që një gjykatë e Kombeve të Bashkuara e dënoi për gjenocid”, tha Ministrja Gërvalla.
Në këtë kontekst, Ministrja Gërvalla deklaroi se, si Ministre e Drejtësisë e Republikës së Kosovës, ajo konsideron se një njeri i tillë nuk duhet të lejohet më të ulet në asnjë tryezë ku përmendet fjala drejtësi.
“Jo në Bruksel. Jo në Berlin. Jo në Strasburg. Askund! Sepse drejtësia nuk është kapitull negociues që hapet dhe mbyllet sipas interesit politik”, tha ajo.
Më tej, Ministrja Gërvalla u shpreh se Bashkimi Evropian nuk duhet të vazhdojë të jetë i shurdhër dhe i verbër ndaj Serbisë, ngase toleranca ndaj Serbisë ka bërë që Serbia sot të mohojë hapur gjenocidin dhe të nderojë kriminelin që kreu gjenocid.
“Problemi nuk është më se çfarë bën Beogradi, por sa gjatë Brukseli do të vazhdojë ta tolerojë atë. Serbia është mësuar prej vitesh me ledhatimin dhe përkëdheljen e BE-së, është mësuar prej vitesh se mund të kalojë çdo vijë të kuqe dhe prapë të trajtohet si partner”.
Tutje, Ministrja Gërvalla tërhoqi një paralele mes asaj që diskutohet në Bruksel dhe realitetit që po ndodh në Beograd.
“Në Bruksel flasin për Kapitullin 23. Në Beograd shtinë krisma nderi mbi arkivolin e një krimineli të gjenocidit.
Në Bruksel flasin për sundimin e ligjit. Në Beograd shteti e kthen një të dënuar për gjenocid në figurë nderi.
Në Bruksel flasin për vlera evropiane. Në Beograd glorifikojnë ata që drejtësia ndërkombëtare i shpalli përgjegjës për disa nga krimet më të rënda të Evropës moderne”, tha Ministrja Gërvalla.
Gjatë reagimit të saj, ajo dënoi këtë akt duke e cilësuar si fyerje ndaj viktimave e përbuzje ndaj drejtësisë ndërkombëtare.
“E dënoj këtë akt në termat më të ashpër politikë dhe moralë sepse nderimi shtetëror i Mlladiqit është fyerje ndaj viktimave, përbuzje ndaj drejtësisë ndërkombëtare dhe akt i hapur i rehabilitimit politik të një ideologjie kriminale”, u shpreh Ministrja Gërvalla.
Sipas saj, akte të tilla, të cilat dënohen fuqishëm dhe pa ekuivok, nuk duhet të normalizohen kurrë.
“Këtë e dënojmë fuqishëm. E dënojmë pa ekuivok. Dhe nuk do ta normalizojmë kurrë. Ata që nuk e dënojnë gjenocidin sot, janë po ata që do të heshtnin para tij edhe nesër.
Jo për hir të politikës. Për hir të drejtësisë. Për hir të viktimave. Dhe për hir të së vërtetës”, përmbylli Ministrja Gërvalla duke theksuar se viktimat nuk duhet t’i harrojmë kurrë.

Foto Galeria

Skip to content