Skip to content
Forcohet bashkëpunimi dypalësh me Shqipërinë në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar dhe krimit kibernetik

Forcohet bashkëpunimi dypalësh me Shqipërinë në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar dhe krimit kibernetik

Prishtinë, 25/09/2026

Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Drejtësisë e Republikës së Shqipërisë kanë përmbyllur me sukses programin e shkëmbimit të stafit ndërmjet Departamenteve për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, me mbështetjen e Projektit CyberSEE.

Kjo nismë u konkretizua përmes vizitave të ndërsjella dyditore, ku fillimisht zyrtarët nga Kosova vizituan Shqipërinë, ndërsa këtë javë u realizua vizita reciproke e kolegëve nga Shqipëria në Kosovë. Qëllimi i këtij shkëmbimi ishte afrimi i praktikave të punës, shkëmbimi i përvojave profesionale dhe thellimi i bashkëpunimit në fushën e ndihmës juridike ndërkombëtare, me theks të veçantë në zbatimin e Konventës së Budapestit për Krimin Kibernetik dhe sigurimin e provave elektronike.

Përmes diskutimeve mbi sfidat në bashkëpunimin juridik ndërkombëtar, zyrtarët e të dyja institucioneve patën mundësinë të shkëmbejnë praktika dhe modele të suksesshme, si dhe të forcojnë më tej kapacitetet e tyre institucionale.

Në përmbyllje të vizitës, zyrtarët u pritën nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, z. Ridvan Hoti, znj. Dhurata Gutaj, Shefe e Stafit të Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Drejtësisë, si dhe Drejtori i Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, z. Gazmend Çitaku.

Ministria e Drejtësisë falënderon Projektin CyberSEE për mbështetjen e kësaj nisme, si dhe kolegët nga Ministria e Drejtësisë e Republikës së Shqipërisë për gatishmërinë dhe partneritetin e shkëlqyer në funksion të zhvillimit profesional dhe forcimit të bashkëpunimit rajonal.

Foto Galeria

Skip to content