Skip to content
Zëvendësministri Nimoni në shënimin e Ditës së Ndërmjetësimit: Kosova, model rajonal edhe në fushën e Ndërmjetësimi

Zëvendësministri Nimoni në shënimin e Ditës së Ndërmjetësimit: Kosova, model rajonal edhe në fushën e Ndërmjetësimi

Prishtinë, 25/09/2026

Zëvendësministri i Drejtësisë, Genc Nimoni, mori pjesë sot në Ngjarjen Rrjetizuese në shënim të Ditës së Ndërmjetësimit, të organizuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Oda e Ndërmjetësuesve të Kosovës.

Në fjalën e tij, Zëvendësministri Nimoni theksoi rëndësinë e ndërmjetësimit si një mundësi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, aty ku ligji e lejon, duke shmangur procese të gjata dhe barrë të panevojshme për palët dhe gjykatat.

“Pa besim, nuk ka ndërmjetësim. Pa profesionalizëm, nuk ka besim. Pa integritet, nuk ka profesionalizëm”, tha Zëvendësministri Nimoni, duke theksuar përgjegjësinë e madhe të ndërmjetësuesve në ndërtimin e besimit të qytetarëve në këtë mënyrë të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve.

Tutje, ai ritheksoi se Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë të punojë me institucionet e drejtësisë, Odën e Ndërmjetësuesve dhe partnerët ndërkombëtarë për avancimin dhe promovimin e ndërmjetësimit në Kosovë. Në këtë drejtim, ai veçoi se, në planin legjislativ të radhës është paraparë edhe ndryshimi i Ligjit për Ndërmjetësimin.

“Ndërmjetësimi nuk duhet të mbetet vetëm një mundësi që ekziston në ligj. Duhet të bëhet një mundësi që qytetari e njeh, i beson dhe e përdor. Në këtë drejtim, bashkëpunimi rajonal po krijon ura të reja ndërmjet institucioneve dhe profesionistëve të rajonit, duke kontribuar në zhvillimin e ndërmjetësimit dhe në ndërtimin e standardeve të përbashkëta evropiane në këtë fushë”, u shpreh Zëvendësministri Nimoni.

Ngjarja rrjetizuese, e organizuar në kuadër të Javës së Ndërmjetësimit, shërbeu gjithashtu si një mundësi për rrjetëzim dhe krijimin e kontakteve të reja, me synim avancimin e bashkëpunimit dhe promovimin e ndërmjetësimit në Kosovë.

Skip to content