Të nderuar përfaqësues të mediave, faleminderit shumë për praninë dhe interesimin tuaj të kaq të madh sot,
Shumë të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Më lini të filloj duke konstatuar që sot, kur me shumë të drejtë dhe me shumë emocion dhe përkushtim po e diskutojmë edhe të kaluarën, historinë tonë, t’i kujtojmë edhe dy data, dhe dy përvjetorë.
Më 26 shtator 1998, në Abri të Epërme, u krye një nga masakrat më mizore të Serbisë gjenocidale: vrasja e 23 anëtarëve të familjes Deliu. Ky është një fakt i pamohueshëm, siç është e pamohueshme edhe e vërteta jonë për luftën çlirimtare. Askush nga autorët e krimit nuk u dënua deri sot për këtë masakër mizore.
Gjithashtu, data 26 shtator 1991 na kujton fillimin e Referendumit për Pavarësinë e Kosovës, i cili u mbajt deri më 30 shtator dhe ku me dukshëm më shumë se 90% të votave, qytetarët e saj e shpallën Kosovën Republikë të Pavarur. Referendumi u mbajt edhe në Tiranë, në një zyrë të thjeshtë. Mijëra qytetarë të Kosovës votuan për pavarësi pikërisht në atë zyrë. Ndihem shumë krenare dhe e privilegjuar që e kam bashkëorganizuar dhe drejtuar këtë proces të rëndësishëm.
Sot, Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran, i njohur ndërkombëtarisht. Sfidat me të cilat ballafaqohemi edhe këto ditë, kërkojnë bashkërendim të të gjithë neve për çështje që kanë të bëjnë me shtetin, kushtetutshmërinë, historinë dhe të ardhmen tonë të përbashkët.
Shumica e gjërave që lidhen me Dhomat e Specializuara janë çështje të ekspertizës së lartë. Nevojitet kujdes i madh që të mos bëjmë gabime. Në Ministrinë e Drejtësisë janë ekspertët që po e analizojnë edhe Projektligjin e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës. Kur ta kemi gati, i’a dërgojmë qeverisë opinionin tonë. Nuk do të vonojmë, shpejt do t’ua dërgojmë, por as nuk duam të nxitohemi e ta paguajmë me cilësi të munguar e gabime të papranueshme.
Më shumë sesa për fjalë, kemi nevojë për bashkëpunim e bashkërendim, analizë e ekspertizë me qëllim që në fund të fitojë drejtësia.
Dje, në funksionin tim si Ministre e Drejtësisë kam dërguar për votim në qeveri 6 ligje, të cilat, pas një pune kolosale të gjithë sistemit të drejtësisë dhe pasi u votuan nga Qeveria, tani janë të gatshme për t’u dërguar në Kuvend.
Këto 6 ligje janë fundamenti i reformës së thellë të sistemit të drejtësisë, për të cilën jemi zotuar para qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Ndërkohë që Ligji për Byronë është diskutuar e stërdiskutuar disa herë, ka marrë trajtë që në dhjetorin e vitit 2021, pra pak muaj pas marrjes së detyrës nga Ministrja e atëhershme e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kaluar tri herë në Kuvendin e Kosovës, ka kaluar nëpër filtrat e Komisionit të Venedikut dhe dy herë në Gjykatën Kushtetuese, ka kaluar edhe disa konsultime publike, të fundit e ka kaluar gjatë këtij viti.
Ndërsa, pakoja e 5 Ligjeve të Reformës i shkon Kuvendit të Kosovës për herë të parë. Reforma është pjesë e Deklaratës së Përbashkët të Zotimit, të nënshkruar nga Ministria e Drejtësisë, gjyqësori dhe prokuroria. Ajo synon efikasitet, profesionalizëm, integritet dhe llogaridhënie të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe është në linjë me rekomandimet e Komisionit të Venedikut, pra Opinionet e vitit 2024 dhe gjithashtu është në linjë me opinionet e TAIEX (BE) nga viti 2026.
Për ilustrim po ndalem pak tek Ligji për Rekrutimin, Vlerësimin e Performancës, Kontrollin e Integritetit dhe Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve i cili parasheh që rekrutimi bëhet vetëm pas verifikimit të veçantë të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë, duke përfshirë evidencat penale, llogaritë bankare, regjistrat e pronave, punëdhënësit e kaluar dhe informacionet nga shoqëria civile.
Ndërsa në vlerësimin e performancës, ligji parasheh dominimin e kritereve cilësore siç janë:
– njohuritë e legjislacionit në fuqi
– aftësitë e zhvillimit të procedurave gjyqësore dhe hetimore
– kapaciteti për analizim dhe arsyetim ligjor
– aftësitë komunikuese
– përdorimin e mjeteve të teknologjisë informative.
Ligji parasheh po ashtu kritere të veçanta për vlerësimin e performancës së kryetarëve të gjykatave dhe kryeprokurorëve, bazuar në organizimin dhe udhëheqjen e punës, efikasitetin, transparencën e gjykatës dhe prokurorisë, si dhe kompetencat personale të tyre. Parashihet gjithashtu mundësia e ankesës për vlerësimin e bërë të performancës së gjyqtarit dhe prokurorit drejtpërdrejtë në Gjykatë Supreme. Për herë të parë ligji parasheh që gjyqtarët dhe prokurorët mund të shkarkohen për shkak të vlerësimit të dobët të performancës, ndërkohë që masat disiplinore të shqiptuara do të përfillen gjatë procesit të avancimit të gjyqtarit ose prokurorit.
Por, gjyqtarët dhe prokurorët do të shkarkohen edhe në rast se vërtetohet që kanë pasuri të pajustifikueshme, pasi që ligji parasheh edhe kontrollin e integritetit, në kuadër të të cilit është edhe kontrolli i plotë i pasurisë së çdo gjyqtari dhe prokurori çdo 3 vite.
Por, ligji nuk parasheh vetëm kritere të larta cilësore, të performancës dhe të integritetit, por edhe më shumë siguri për gjyqtarët dhe prokurorët. Kështu, ligji i ri parasheh masat e veçanta të mbrojtjes për gjyqtarët dhe prokurorët, si dhe familjet e tyre, në rast të kërcënimit. Po ashtu, ligji i ri parasheh që transferimi i gjyqtarëve në një gjykatë tjetër, apo i prokurorëve në prokurori tjetër bëhet vetëm me kritere strikte ligjore, për qëllime të ngritjes së efikasitetit të gjykatës apo prokurorisë përkatëse, duke i mbrojtur kështu gjyqtarët dhe prokurorët nga vendimet arbitrare. Parashihet gjithashtu edhe mundësia e caktimit të gjyqtarëve mobil për të ndihmuar degë të caktuara të Gjykatës, kur ato në një periudhë të caktuar ballafaqohen me mbingarkesa të paparashikueshme.
2.Ndërsa Projektligji për Përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve parasheh ndërlidhjen e shkeljeve me masat disiplinore, pra masa proporcionale për secilën shkelje të kryer nga gjyqtari ose prokurori. Masat e ndërmarra disiplinore regjistrohen dhe bëhen publike nga KGJK-ja dhe KPK-ja. Përsëritja e shkeljeve të lehta disiplinore konsiderohet shkelje e rëndë disiplinore.
I ri është përcaktimi i KGJK-së dhe KPK-së si autoritete kompetente për trajtimin e njoftimeve për shkelje disiplinore, duke zëvendësuar kompetencat e mëparshme të kryetarëve të gjykatave dhe kryeprokurorëve. Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës do të caktojnë nga nëntë (9) gjyqtarë, respektivisht nëntë (9) prokurorë, për shërbim në panele hetimore, me mandate pesë (5) vjeçare, duke mundësuar specializimin e tyre dhe trajtim më efikas të rasteve disiplinore.
3.Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës parasheh kandidim vetëm të gjyqtarëve të cilët kanë vlerësim të mirë të performancës dhe votim nga të gjithë gjyqtarët në konferencën e Gjyqtarëve për anëtarët gjyqtarë në Këshill, duke siguruar kështu kandidatë me mbështetje të gjerë, e jo vetëm nga niveli i njëjtë i gjykatave siç ka qenë më parë. Komisioni për Vlerësim të Performancës do të përbëhet nga gjyqtarët e niveleve më të larta si dhe do të përfshijë një (1) anëtar jo-gjyqtar. Do të ketë përcaktimi të shkeljeve disiplinore edhe për anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës respektivisht dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Po ashtu, ligji i ri parasheh mundësinë e rizgjedhjes së kryetarëve të gjykatave edhe për një mandat.
Ndërkohë që do të riformatohet “Njësia për Inspektim” në “Njësi për Inspektim dhe Verifikim” në kuadër të Këshillit, me kompetenca të zgjeruara sa i përket rekrutimit, performancës dhe procedurave disiplinore të gjyqtarëve.
4.Ligji i katërt i pakos, është Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pas një reforme të suksesshme ligjore në vitin 2025, i cili përmban disa ndryshime shtesë që për nga substanca janë të ngjashme si ato të përmendura për Këshillin Gjyqësor, gjë që i shërben unifikimit të ligjeve dhe praktikave të sistemit gjyqësor në përgjithësi.
5 Projektligji për Akademinë e Drejtësisë parasheh rritjen e numrit të anëtarëve të Këshillit Programor, duke përfshirë gjyqtarë dhe prokurorë të specializuar, profesorë të jurisprudencës dhe ekspertë. Sigurimi i autonomisë profesionale dhe programore të Këshillit Programor. Përcaktimin e llojeve të trajnimeve duke përfshirë ato të vazhdueshme dhe të specializuara për gjyqtarët dhe prokurorët, si dhe trajnime të përbashkëta me profesionistët tjerë në sistemin e drejtësisë (avokatë shtetëror, avokatë, noterë, përmbarues privat, ndërmjetësues, administratorë falimentues dhe zyrtarë tjerë të institucioneve publike). Procedura dhe kritere të qarta për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në trajnimin fillestar, duke garantuar edhe të drejtën e ankesës. Krijimi i sistemit për vlerësimin e performancës së trajnerëve dhe mentorëve. Përcaktimi ligjor i kategorive të hulumtimeve dhe veprimtarive botuese të Akademisë, me specifikimin e llojeve dhe kritereve të qarta për zhvillimin e tyre si dhe rregullimin e statusit dhe marrëdhënies së punës të të punësuarve në Akademi , janë disa nga gjërat që kemi zgjedhur të përmendim nga ky ligj.
Këto projektligje do të mundësojnë organizim dhe menaxhim më të mirë të punës, dhe profesionalizim më të madh të gjykatave dhe prokurorive. Por sigurisht që edhe vet KGJK dhe KPK duhet të marrin masa zbatuese. Kush nuk performon, sipas këtyre projektligjeve, do të largohet nga sistemi!
Natyrisht që edhe Ministria e Drejtësisë do të shqyrtojë të gjitha mundësitë për rritje të vazhdueshme buxhetore për ngritjen e resurseve në gjyqësor dhe në prokurori.
Një lajm, po ashtu jashtëzakonisht i mirë, është që po dërgojmë në Kuvend Ligjin për Byronë. Që nga mandati i kaluar, ky Ligj ka pësuar disa ndryshime të lehta dhe është dërguar edhe një herë në konsultime publike. Projektligji që kemi dërguar në Kuvend duhet parë si rezultat i një procesi të tërë. Ai ka kaluar nëpër disa faza të hartimit dhe rishikimit, është vlerësuar nga Komisioni i Venedikut, është shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese, është ndryshuar në bazë të gjetjeve të saj dhe është rihapur për konsultim publik, ku janë marrë parasysh në masë mjaft të madhe edhe komentet e shoqërisë civile.
Iniciativa zyrtare për krijimin e këtij mekanizmi daton që nga viti 2020 dhe ka qenë pjesë e reformave më të gjera në drejtësi, sundim të ligjit dhe luftë kundër korrupsionit. Qëllimi ka qenë që Kosovës t’i jepet një instrument shtesë për trajtimin e rasteve kur ekziston një mospërputhje e konsiderueshme ndërmjet pasurisë së një zyrtari publik dhe të ardhurave të tij të ligjshme, por ku mekanizmat ekzistues të ndjekjes penale nuk janë të mjaftueshëm për të mundësuar konfiskimin e kësaj pasurie.
Që nga fillimi, kemi qenë të vetëdijshëm se bëhet fjalë për një mekanizëm të ri dhe të ndjeshëm, i cili duhet të vendosë balancën e duhur ndërmjet interesit publik për luftimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe mbrojtjes së të drejtave individuale. Pikërisht ruajtja e kësaj balance ka qenë një prej parimeve kryesore që e ka udhëhequr hartimin e këtij projektligji. Në njërën anë, shteti duhet të ketë instrumente efektive për të verifikuar rastet kur pasuria e një zyrtari publik nuk mund të shpjegohet me të ardhurat e tij të ligjshme. Nga ana tjetër, askush nuk mund të privohet nga pasuria mbi bazën e një dyshimi, të një vlerësimi administrativ apo të një vendimi të vetë Byrosë.
Ministria e Drejtësisë është kujdesur që ky projektligj t’i nënshtrohet një procesi të gjerë dhe të vazhdueshëm shqyrtimi dhe ekspertize, me qëllim që zgjidhjet e propozuara të jenë në përputhje me Kushtetutën, standardet ndërkombëtare dhe garancitë për mbrojtjen e të drejtave themelore. Thelbësor ka qenë dërgimi i projektligjit për opinion në Komisionin e Venedikut, i cili e ka trajtuar jo vetëm tekstin e projektligjit, por edhe vetë konceptin e konfiskimit civil pa një dënim penal paraprak.
Dua ta theksoj veçanërisht një element që ndonjëherë humbet në debatin publik për këtë ligj.
Ky ligj nuk krijon një mekanizëm penal dhe Byroja nuk konfiskon pasuri.
Projektligji parashikon një procedurë civile që zhvillohet para gjykatës, me standard të përcaktuar të provës dhe me të drejtë ankese. Byroja ka rol përgatitor dhe analitik: ajo mbledh, analizon dhe verifikon të dhënat dhe, kur vlerëson se plotësohen kushtet ligjore, e paraqet çështjen para gjykatës. Byroja vetë nuk merr vendim për konfiskim.
Vendimin përfundimtar për konfiskimin e pasurisë e merr ekskluzivisht gjykata.
Personi ndaj të cilit zhvillohet procedura ka të drejtë të paraqesë provat e veta, të kundërshtojë pretendimet dhe provat e paraqitura nga Byroja dhe të përdorë mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Kjo është një prej garancive themelore mbi të cilat është ndërtuar ky mekanizëm.
Por pse po pritet kaq me padurim nga qytetarët e Republikës sonë ky ligj?
Sepse Kosova nuk mund ta tolerojë pasurinë e pajustifikueshme që ajo të bëhet normë, që korrupsioni të fitojë mbi shtetin ligjor, që pasuria publike të përfundojë në xhepat privat, që i drejti dhe i sinqerti në fund të jetë humbësi.
Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme do të jetë një prej garancive të forta për këtë.
Me këto ligje jam e sigurt që kemi vënë themelin e reformës më të thellë në sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës.
Jam e bindur se edhe Kuvendi e sheh këtë në të njëjtën mënyrë dhe do të mundësojë një shqyrtim të kujdesshëm dhe njëkohësisht të shpejtë.
Qytetarët e vendit tonë e presin këtë prej shumë vitesh. Edhe ata kanë të drejtë të gëzojnë një drejtësi të barabartë për të gjithë.
Faleminderit shumë për vëmendjen tuaj, po gjithashtu edhe për durimin tuaj për këto shpjegime të gjata për disa ligje të cilat do të jenë thelbësore për vendin tonë.