Skip to content
Qeveria miraton Ligjin për Byronë dhe pesë projektligje të reformës në drejtësi

Qeveria miraton Ligjin për Byronë dhe pesë projektligje të reformës në drejtësi

Prishtinë, 26/09/2026

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe pesë projektligje të cilat avancojnë reformën në drejtësi.

Kjo paketë e gjerë legjislative përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e sundimit të ligjit, rritjen e integritetit dhe llogaridhënies, si dhe në fuqizimin e mëtejshëm të sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës.

Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme përcakton themelimin, organizimin dhe kompetencat e Byrosë, si dhe procedurat për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Në kuadër të reformës në drejtësi, Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për Rekrutimin, Vlerësimin e Performancës, Kontrollin e Integritetit dhe Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve. Përmes këtij projektligji përcaktohen rregullat për rekrutimin, vlerësimin e performancës, kontrollin e integritetit dhe statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe çështje të tjera që lidhen me ushtrimin e funksioneve të tyre.

Po ashtu, është miratuar Projektligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, i cili synon të rregullojë sistemin e përgjegjësisë disiplinore, duke përcaktuar parimet, procedurat, organet kompetente dhe masat disiplinore për shkeljet e përcaktuara të detyrimeve profesionale.

Pjesë e kësaj pako janë edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, me synim avancimin e mëtejshëm të kornizës ligjore dhe funksionimit të institucioneve kryesore të sistemit të drejtësisë.

Gjithashtu, është miratuar Projektligji për Akademinë e Drejtësisë, i cili synon të sigurojë zhvillim profesional cilësor, të vazhdueshëm dhe të standardizuar të gjyqtarëve, prokurorëve dhe profesionistëve të tjerë të lidhur me sistemin e drejtësisë.

Këto projektligje avancojnë reformat dhe forcojnë sundimin e ligjit duke ndërtuar një sistem drejtësie profesional, të pavarur, efikas dhe llogaridhënës, në shërbim të qytetarëve dhe interesit publik.

Skip to content