Zëvendësministri i Drejtësisë, Genc Nimoni, mori pjesë në Konferencën Rajonale Përmbyllëse të programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë: Një Dekadë Ndikim”.
Gjatë konferencës e cila po mbahet në Tiranë me pjesëmarrës nga vendet e rajonit dhe BE, Zëvendësministri Nimoni theksoi se në sistemin e drejtësisë prioritet mbetet përmbyllja e nismave reformuese dhe implementimi i duhur i atyre tashmë të jetësuara.
“Kosova gjatë viteve të fundit, ka ndërmarrë reforma të rëndësishme për forcimin e institucioneve të drejtësisë, rritjen e efikasitetit të sistemit gjyqësor, përmirësimin e qasjes së qytetarëve në drejtësi dhe ndihmën juridike falas, digjitalizimin, zgjidhjen alternative të kontesteve dhe forcimin e standardeve të të drejtave të njeriut”, tha Zëvendëministri.
Ai shtoi se këto nisma reformuese tashmë evidentohen edhe nga raportet dhe indekset kredibile ndërkombëtare, në të cilat theksohen arritjet dhe forcimi i sundimit të ligjit.
Duke folur për sistemin e drejtësisë dhe efikasitetin e tij, Zëvendësministri veçoi mbështetjen e Këshillit të Evropës, përmes CEPEJ dhe KoSEJ, në mbledhjen dhe analizimin e të dhënave gjyqësore, monitorimin e ngarkesës së gjykatave dhe kohës së nevojshme për procedimin e lëndëve, në përputhje me standardet evropiane.
Po ashtu, ai veçoi edhe kontributin e Programit Horizontal Facility në digjitalizimin e sistemit të drejtësisë, në parandalimin e radikalizimit dhe luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm në burgje, përfshirë rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të privuar nga liria.
Në përfundim, Zëvendësministri Nimoni theksoi se qëndrueshmëria duhet të jetë parimi udhëheqës i fazës së ardhshme të reformave, duke kaluar gradualisht nga reformat e mbështetura përmes projekteve drejt praktikave të qëndrueshme institucionale.
“Sfida jonë është që arritjet e deritanishme t’i konsolidojmë dhe të kalojmë gradualisht nga reformat e mbështetura përmes projekteve drejt praktikave të qëndrueshme institucionale”, tha Nimoni, duke shprehur mirënjohjen për Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës për mbështetjen e vazhdueshme në funksion të ndërtimit të një sistemi drejtësie më efikas, më të shpejtë dhe më të qasshëm për qytetarët.
Konferenca shënoi përmbylljen e fazës së tretë të programit dhe dhjetëvjetorin e bashkëpunimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës përmes programit Horizontal, i cili ka mbështetur vendet e rajonit në avancimin e reformave në fushën e sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe qeverisjes demokratike.