Zëvendësministri i Drejtësisë, Genc Nimoni, mori sot pjesë në takimin për shqyrtimin e Projektligjit për Byronë Shtetërore për Procedurën e Verifikimit dhe Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme, të themeluar nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.
Gjatë takimit, anëtarët e grupit punues, përfaqësuesit institucional si dhe të shoqërisë civile diskutuan për çështje specifike mbi Projektligjin për Byronë Shtetërore për Procedurën e Verifikimit dhe Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme.
Diskutimi u përqendrua, ndër të tjera, në çështje të rëndësishme të cilat kanë të bëjnë me organizimin dhe kompetencat e Byrosë, garantimin e të drejtave të palëve në procedurë por gjithashtu u trajtuan edhe procedurat e verifikimit në Byro dhe të konfiskimit në Gjykatë.
Në këtë kontekst, Zëvendësministri Nimoni ripërsëriti ndarjen e kompetencave ndërmjet Byrosë e cila mbledh, verifikon dhe analizon informacionin lidhur me pasurinë, dhe Gjykatës e cila merr vendimin për konfiskim, në përputhje me procedurat ligjore.
Gjatë takimit, zëvendësministri Nimoni theksoi gatishmërinë për diskutimin e çështjeve eventuale, duke ritheksuar vendosmërinë që kjo nismë të përfundojë me jetësimin dhe funksionalizimin e plotë të Byrosë e cila është rezultat i një analize të gjatë dhe profesionale, të mbështetur në ekspertizë vendore dhe ndërkombëtare, si dhe në konsultime gjithëpërfshirëse të zhvilluara ndër vite.
Ndërkaq, Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Vigan Qorrolli, theksoi rëndësinë juridike dhe interesin publik që lidhen me këtë projektligj, duke nënvizuar nevojën që ai të vlerësohet në dy dimensione kryesore: efektivitetin e mekanizmit dhe përputhshmërinë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ai rikujtoi se projektligji, i cili përmban 88 nene, i është nënshtruar një procesi të gjerë shqyrtimi juridik, institucional dhe publik, përfshirë vlerësimin nga Komisioni i Venecias.
Më 5 tetor të këtij viti, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për Byronë Shtetërore për Procedurën e Verifikimit dhe Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme, duke shënuar kështu një hap të rëndësishëm në forcimin e mekanizmave institucionalë për luftimin e korrupsionit dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.