Zëvendësministri i Drejtësisë, Genc Nimoni, ka marrë pjesë në takimin e grupit punues në Kuvend, për shqyrtimin e Projektligjit nr. 11/L-010 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, i cili është pjesë e Pakosë së Ligjeve në Drejtësi, që rrjedh nga Deklarata e Përbashkët e Zotimit.
Gjatë takimit, zëvendësministri Nimoni theksoi se projektligji sjell ndryshime substanciale dhe ka për synim të rregullojë sistemin e përgjegjësise disiplinore, duke përcaktuar shkeljet disiplinore, në të lehta dhe të rënda, autoritetet e reja kompetente dhe masat disiplinore qe zbatohen në rast të shkeljeve të përcaktuara të detyrimeve si gjyqtarë dhe prokurorë.
Ndër risitë kryesore të Projektligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve janë ndërlidhja e shkeljeve me masat përkatëse disiplinore, duke përcaktuar masa proporcionale për secilën shkelje të kryer nga gjyqtarët dhe prokurorët.
Në këtë drejtim, Zëvendësministri Nimoni ritheksoi se përcaktimi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës si autoritetet kompetente për trajtimin e njoftimeve për shkelje disiplinore, duke zëvendësuar kompetencat e mëparshme të kryetarëve të gjykatave dhe kryeprokurorëve, do të ndikojë drejtpërdrejtë në rritjen e besimit të qytetarit në sistemin e drejtësisë dhe trajtimin më efikas të rasteve disiplinore.
Projektligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve i është nënshtruar një procesi të gjerë të shqyrtimit dhe vlerësimit nga ekspertë vendor dhe ndërkombëtar, duke përfshirë adresimin e opinioneve të Komisionit të Venecias si dhe konsultimet gjithëpërfshirëse.
Në takim, anëtarët e grupit punues, përfaqësues të sistemit gjyqësor dhe sistemit prokurorial, të shoqërisë civile si dhe ekspertë të fushës diskutuan për ndryshimet dhe plotësimet e parapara në Projektligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.
Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar në jetësimin e kësaj reforme, përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe të vazhdueshëm, me synimin e forcimit të integritetit, profesionalizmit dhe llogaridhënies në sistemin e drejtësisë.