Me 66 vota për, asnjë kundër dhe 7 abstenime, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar sot, në lexim të dytë, Projektligjin për Byronë Shtetërore për Procedurën e Verifikimit dhe Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të mekanizmave institucionalë për luftimin e korrupsionit dhe trajtimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Në kuadër të shqyrtimit parlamentar, janë hedhur për votim 24 amendamente, me qëllim të plotësimit dhe përmirësimit të përmbajtjes së tij.
Projektligji për Byronë Shtetërore për Procedurën e Verifikimit dhe Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme përcakton themelimin, organizimin dhe kompetencat e Byrosë Shtetërore, si dhe procedurat për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Projektligji ka kaluar një rrugëtim të gjatë të diskutimit dhe shqyrtimit juridik, institucional e publik, si rezultat i kundërshtimeve dhe kërkesave për vlerësimin e kushtetutshmërisë, të cilat kanë rezultuar me dy aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese dhe, rrjedhimisht, me nevojën për rikthimin e Projektligjit në procedurat e miratimit.