Në Budva të Malit të Zi, në kuadër të Forumit Ministror BE–Ballkani Perëndimor për Drejtësi dhe Punë të Brendshme, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, takoi Komisionerin Evropian për Demokraci, Drejtësi, Sundimin e Ligjit dhe Mbrojtjen e Konsumatorëve, z. Michael McGrath.
Gjatë takimit u diskutuan prioritetet e Republikës së Kosovës në fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit, bashkëpunimi me Bashkimin Evropian, si dhe avancimi i Kosovës drejt integrimit evropian.
“ E ardhmja evropiane e Kosovës është e pandashme nga drejtësia e fortë, shteti ligjor dhe barazia para ligjit”, deklaroi Ministrja Gërvalla.
Tutje, Ministrja Gërvalla diskutoi edhe për themelimin dhe funksionalizimin e plotë të Byrosë Shtetërore dhe zbatimin e pakos së ligjeve që synojnë transformimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë.
“Folëm edhe për reformën në drejtësi, me theks të veçantë për themelimin dhe funksionalizimin e plotë të Byrosë Shtetërore, të cilën qytetarët tanë e presin me padurim prej kohësh, si garancë që pasuria e pajustifikueshme të mos fshihet pas pushtetit, ndërsa zbatimi i pakos së ligjeve të reformës më të thellë dhe më të gjerë ndonjëherë në fushën e drejtësisë në vendin tonë të transformojë rrënjësisht gjyqësorin në Kosovë”, tha Ministrja Gërvalla.
Ministrja Gërvalla potencoi se pavarësia e gjyqësorit është themel i shtetit ligjor.
“Pavarësia e gjyqësorit është themel i shtetit ligjor, por ajo nuk mund dhe nuk duhet të shërbejë si mburojë për askënd që përfshihet në krim dhe korrupsion”, tha Ministrja Gërvalla.
Ajo vuri në pah se reformat në drejtësi janë parakusht për një shtet të fortë ligjor dhe funksional.
“Kosova po i çon ato përpara me vendosmëri të palëkundur, duke forcuar mekanizmat e drejtësisë, luftuar në mënyrë efektive korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe garantuar se rruga jonë drejt Bashkimit Evropian është e pakthyeshme”, deklaroi Ministrja Gërvalla.