Skip to content
Ministrja Gërvalla: Mënyra se si një shoqëri i mbron fëmijët është një nga matësit më të rëndësishëm të drejtësisë dhe përgjegjësisë së saj

Ministrja Gërvalla: Mënyra se si një shoqëri i mbron fëmijët është një nga matësit më të rëndësishëm të drejtësisë dhe përgjegjësisë së saj

Prishtinë, 12/11/2026
Për të diskutuar rreth forcimit të mekanizmave të raportimit dhe mbrojtjes së fëmijëve nga dhuna, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, priti në takim znj. Donjeta Kelmendi, Drejtoreshën Ekzekutive të Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) dhe znj. Marija Vuksani nga Terre des hommes Kosovë.
Gjatë takimit, përveç rreth mekanizmave raportues e mbrojtës, u fol edhe për rëndësinë e bashkërendimit të përpjekjeve institucionale dhe shoqërisë civile në këtë aspekt. Me këtë rast, Ministrja Gërvalla vlerësoi edhe një nga projektet e KOMF-it për raportimin dhe luftimin e dhunës ndaj fëmijëve.
“Projekti i KOMF-it, “Platforma Digjitale për Raportimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Fëmijëve”, është një iniciativë e mbështetur nga Bashkimi Evropian, që synon t’u mundësojë fëmijëve raportimin e dhunës dhe abuzimit përmes një mekanizmi digjital të sigurt, të besueshëm dhe miqësor për ta. Projekti parasheh pilotimin e platformës në 55 shkolla, trajnimin e profesionistëve dhe hartimin e standardeve për trajtimin e rasteve të raportuara, me synim funksionalizimin e saj deri në vitin 2028”.
Ministrja Gërvalla dhe përfaqësueset e OJQ-ve, riafirmuan edhe rëndësinë e funksionalizimit të Linjës Telefonike për Fëmijë, si mekanizëm plotësues dhe i domosdoshëm, që së bashku me platformën digjitale të garantojë më shumë mundësi për raportim dhe qasje në mbrojtje.
“Mbrojtja e fëmijëve kërkon që asnjë formë dhune të mos relativizohet, asnjë sinjal të mos shpërfillet dhe asnjë rast të mos mbetet pa trajtimin e duhur”, u shpreh Ministrja Gërvalla.
Ajo deklaroi se si Koordinatore Kombëtare, do të angazhohet fuqishëm në mbështetje të çdo nisme dhe çdo përpjekjeje që e bën mbrojtjen reale, të prekshme dhe të pakushtëzuar.

Foto Galeria

Skip to content