Skip to content
Kuvendi miratoi Marrëveshjen për Ekstradim ndërmjet Kosovës dhe Suedisë

Kuvendi miratoi Marrëveshjen për Ekstradim ndërmjet Kosovës dhe Suedisë

Prishtinë, 13/11/2026
Kuvendi i Republikës së Kosovës me 81 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, ka miratuar sot Marrëveshjen për Ekstradim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë, duke krijuar një bazë të re për thellimin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar ndërmjet dy shteteve.
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, theksoi se kjo marrëveshje është pjesë e orientimit evropian të Kosovës dhe angazhimit për ndërtimin e partneriteteve të qëndrueshme me shtetet demokratike.
“Në orientimin e saj evropian dhe zotimin për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të ndërtuar partneritete të qëndrueshme me shtetet demokratike, Republika e Kosovës, gjithnjë e më shumë thellon bashkëpunimin juridik ndërkombëtar. Në këtë frymë është negociuar edhe Marrëveshja me Mbretërinë e Suedisë për Ekstradim”, tha Ministrja Gërvalla.
Tutje, Ministrja Gërvalla tregoi se kjo Marrëveshje e krijon një bazë juridike për bashkëpunim të drejtpërdrejtë në mes të autoriteteve kompetente të të dy shteteve, duke përcaktuar kushtet, procedurat dhe detyrimet për ekstradimin e personave të kërkuar, si për ndjekje penale, ashtu edhe për ekzekutimin e dënimeve.
Ajo tha se për Republikën e Kosovës, marrëveshje të tilla përfaqësojnë një dimension të rëndësishëm të bashkëpunimit evropian dhe të forcimit të kapaciteteve shtetërore për zbatimin efektiv të ligjit.
Ministrja Gërvalla tha se ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është bërë në përputhje me kërkesat e nenit 18 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, për shkak të ndërlidhjes së saj me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Foto Galeria

Skip to content