Shumë i nderuar Kryeministër z. Albin Kurti,
Shumë e dashur Kryetare e Kuvendit znj. Albulena Haxhiu,
I dashur Drejtor i Përgjithshëm z. Ismail Dibrani,
Të gjithë ju miq të spikatur dhe të nderuar të cilët na keni nderuar jashtëzakonisht shumë sot me pjesëmarrjen tuaj,
Një përshëndetje të veçantë pasi të gjithë miqtë tanë, ata me të cilët bashkëpunimi institucional, ndërinstitucional ka qenë i jashtëzakonshëm gjatë këtyre viteve.
Fakti që këtu kemi të pranishëm Kryesuesin e Këshillit Prokurorial, Kryeprokurorin, përfaqësues nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, kemi nga Policia, kemi nga Inspektorati i Policisë, kemi nga Qeveria, nga Ministria e Drejtësisë, kemi nga shoqëria civile, njëkohësisht edhe përfaqësues të mekanizmave të ndryshëm ndërkombëtarë në vendin tonë, tregon pikërisht sekretin e suksesit të jashtëzakonshëm që ka pësuar SHKK-ja.
Edhe pse sot këtë ditë po e shfrytëzojmë për të vënë në pah përvjetorin e 27 – të të themelimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, një Institucion me mision të rëndësishëm për sigurinë publike dhe respektimin e ligjit, nuk mundemi pa e theksuar në mënyrë të veçantë rolin e jashtëzakonshëm që ka secili dhe secila zyrtare korrektuese në Republikën tonë. Prandaj, juve të nderuar zyrtarë korrektues, juve në emër të të gjithë atyre të tjerëve që sot nuk janë të pranishëm në këtë sallë, më lejoni të ju shpreh falënderimin dhe mirënjohjen e jashtëzakonshme për punën tuaj.
Shërbimi Korrektues vërtet ka dëshmuar profesionalizëm, përkushtim dhe integritet. Transformimi i vazhdueshëm i infrastrukturës, rritje e numrit dhe cilësisë së zyrtarëve korrektues, si dhe përafrim me standardet bashkëkohore korrektuese.
Në Raportin e sivjetshëm të Progresit të Komisionit Evropian theksohet se Kosova ofron garanci të duhura ligjore për parandalimin e torturës dhe formave të tjera të keqtrajtimit.
Sistemi i burgjeve, në përgjithësi, është në përputhje me Rregullat Standarde Minimale të Kombeve të Bashkuara për Trajtimin e të Burgosurve. Ligji për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale ndalon diskriminimin mbi çfarëdo baze, përfshirë aftësinë e kufizuar, dhe kërkon që të gjithë të burgosurit të trajtohen në mënyrë njerëzore dhe me respekt të plotë për dinjitetin e tyre.
Ligji për Shërbimin Korrektues të Kosovës, së bashku me të gjitha aktet nënligjore përcjellëse, të cilat janë në përputhje edhe me legjislacionin e BE-së, është baza e punës sonë të përditshme.
Personeli i Shërbimit Korrektues, mban mbi supe një përgjegjësi të lartë për të garantuar siguri, trajtim dhe rehabilitim të personave të privuar nga liria, përgjegjësi të cilën ju zyrtar të Shërbimit Korrektues e përmbushni me gjithnjë e më shumë profesionalizëm, dinjitet dhe humanizëm.
Rezultate të kënaqshme ka arritur edhe procesi i riintegrimit dhe risocializimit të personave të privuar nga liria, pjesëmarrja e të burgosurve në programet rehabilituese dhe gatishmëria për respektimin e normave ligjore, e cila është tregues për parandalimin e përsëritjeve.
U përmendën vlerësimi i jashtëzakonshëm ndërkombëtar për shërbimin tonë korrektues, por i nderuar Drejtor i Përgjithshëm, e mira s’ka fund.
Prandaj në të ardhmen duhet të vazhdoj mbështetja për zhvillimin dhe profesionalizimin e mëtejshëm të Shërbimit Korrektues, me fokus në sigurinë, rehabilitimin dhe rikthimin e suksesshëm të të dënuarve në shoqëri. Çdo arritje e juaja është një arritje e shtetit ligjor dhe besimit të qytetarëve në institucionet tona.
Duke ju përgëzuar për punën tuaj të palodhur, shpesh të vështirë, por jashtëzakonisht të rëndësishme për funksionimin e sistemit tonë të drejtësisë, nuk mundem pa theksuar që transformimi rrënjësor i Shërbimit Korrektues të Kosovës bart vulën të kryesisht dy personave: është ish-ministrja e Drejtësisë, sot Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu, e cila me mençuri dhe guxim të jashtëzakonshëm ka dëshmuar lidershipin e saj në transformimin e Shërbimit Korrektues, dhe Drejtori i Përgjithshëm i SHKK-së, i cili jo vetëm që ka zgjeruar rrethin e të gjithë atyre të cilët janë miq, bashkëpunëtorë edhe mbështetës të Shërbimit Korrektues, por edhe ka ndryshuar dhe transformuar raportet e brendshme brenda SHKK-së.
Prandaj ju falënderoj shumë ju të dyve, por edhe të gjithë kontribuuesit e tjerë dhe shpresoj që kur të shihemi pas një viti do të kemi përsëri lajme të mira për të treguar.
Urime 27-vjetori i Shërbimit Korrektues të Kosovës!