Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, sot ka bërë homazhe në 23-vjetorin e vrasjes së dëshmorëve të demokracisë, Sabahate Tolajt dhe Isuf Haklajt, në nderim të jetës, veprës dhe sakrificës së tyre për lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.
Së bashku me Ministrin e Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani dhe Zëvendësministrin e Drejtësisë, Genc Nimoni, Ministrja Gërvalla bëri homazhe te lapidari në Stacionin Policor në Pejë, në vendin e rënies së tyre në Raushiq, si dhe te varret e tyre në Pobërgjë dhe Koshare.
Me këtë rast, Ministrja Gërvalla tha se angazhimi i Sabahate Tolajt dhe Isuf Haklajt nuk përfundoi me çlirimin e vendit, por vazhdoi edhe për ndërtimin e një shteti demokratik e ligjor.
“Jo për të gjithë ata që luftuan për lirinë e Kosovës, beteja përfundoi në qershor 1999. Për disa, liria e arritur ishte vetëm fillimi i një misioni tjetër: ta bënin Kosovën shtet demokratik, ku ligji do të ishte mbi çdo interes dhe ku askush nuk do të mund ta zëvendësonte autoritetin e shtetit me pushtetin e krimit”, deklaroi Ministrja Gërvalla.
Duke kujtuar rrethanat e vrasjes së tyre më 24 nëntor 2003, Ministrja Gërvalla theksoi se ata u përjetësuan si dëshmorë të demokracisë, sepse zgjodhën t’i shërbenin shtetit dhe t’i dilnin përballë atyre që synonin ta sfidonin autoritetin e ligjit.
“Sabahate Tolaj dhe Isuf Haklaj i përkisnin këtij brezi. Ishin luftëtarë të lirisë, që menjëherë pas çlirimit të Kosovës, uniformën e luftëtarit e zëvendësuan me atë të zyrtarit policor, por jo edhe misionin e tyre. Sepse për ta, Kosova nuk duhej të ishte vetëm e lirë, por duhej të ishte edhe e drejtë”, deklaroi Ministrja Gërvalla.
Tutje, ajo tha se përtej kujtimit dhe nderimit, Kosova ka detyrim të vazhdueshëm për drejtësi dhe për konsolidimin e shtetit ligjor, ideal për të cilin Sabahate Tolaj dhe Isuf Haklaj sakrifikuan jetën.
“Sabahates e Isufit, KOSOVA, ky shtet e kjo Republikë, nuk ua ka borxh vetëm kujtimin. Ua ka borxh drejtësinë. Ua ka borxh drejtësinë e plotë. Ua ka borxh shtetin ligjor për të cilin luftuan deri në vetflijim dhe ua ka borxh shtetin, ku ata që luftuan për lirinë nuk do mbeten kurrë viktima të atyre që, pas çlirimit, deshën ta sundonin Kosovën përmes krimit”, u shpreh Ministrja Gërvalla.
Në përfundim, ajo theksoi përgjegjësinë institucionale për ta jetësuar idealin e tyre për një Republikë të fortë, demokratike dhe të konsoliduar, ku drejtësia dhe ligji janë themeli i çdo përparimi.
“Lavdi e përjetshme Sabahate Tolajt dhe Isuf Haklajt! U jetësoftë ëndrra e tyre për Kosovën tonë!”, tha Ministrja Gërvalla.