Ministria e Drejtësisë ka nisur sot Fushatën Globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, me një aktivitet të dedikuar ndërgjegjësimit dhe bashkëbisedimit me të rinjtë, duke vënë në qendër rëndësinë e edukimit për barazi, respekt dhe dinjitet njerëzor si bazë për parandalimin e dhunës.
Në aktivitet morën pjesë Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, së bashku me deputeten e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Edona Llalloshi, të cilat bashkëbiseduan me nxënës nga shkollat e mesme “28 Nëntori”, “7 Shtatori”, “H.K. Prishtina” dhe “Abdyl Frashëri”, në ambientet e shkollës “Gjin Gazulli” në Prishtinë.
Ministrja Gërvalla theksoi se parandalimi i dhunës nuk fillon vetëm atëherë kur ajo shfaqet, por shumë më herët, përmes edukimit të brezave të rinj me vlerat e barazisë, respektit dhe dinjitetit njerëzor.
“Edukimi për barazi dhe respekt fillon shumë përpara se fëmijët të përballen me padrejtësitë e jetës. Fillon në mënyrën si i mësojmë të shohin njëri-tjetrin, si të kuptojnë dinjitetin njerëzor dhe si të mos e ngatërrojnë kurrë forcën me dhunën. Fëmijët që rriten me këto vlera nuk mësojnë vetëm të mos lëndojnë të tjerët, por edhe të mos pranojnë padrejtësinë si diçka të zakonshme”, u shpreh Ministrja Gërvalla.
Ajo theksoi se nuk mjafton vetëm t’u mësohet fëmijëve se dhuna është e gabuar, por duhet të krijohet një kulturë edukimi ku respekti për veten dhe të tjerët bëhet vlerë themelore.
“Bashkëbisedimi me të rinjtë tanë ishte një rast për të shkuar përtej mesazheve të zakonshme kundër dhunës dhe për të trajtuar atë që qëndron në fakt në themel të saj: mënyrën si formohen bindjet, si ndërtohen raportet ndërmjet vajzave dhe djemve dhe si kuptohet respekti në jetën e përditshme. Parandalimi i dhunës kërkon pikërisht këtë punë të hershme me brezat e rinj, sepse asnjë shoqëri nuk mund të jetë vërtet e barabartë nëse pabarazinë e toleron që në edukimin e brezave të saj”, deklaroi Ministrja Gërvalla.
Tutje, ajo tha se nuk mjafton t’u themi fëmijëve se dhuna është e gabuar por duhet t’i rrisim ata me shumë respekt për veten dhe për të tjerët.
Ministrja Gërvalla vlerësoi mendimet, vërejtjet dhe shqetësimet e ndara nga nxënësit, duke theksuar se perspektiva e tyre do të jetë e rëndësishme edhe në procesin e hartimit të Strategjisë Kombëtare për Mbrojtjen nga Dhuna 2027–2031.
“Zëri i brezit të ri të jetë pjesë e asaj që synojmë të ndërtojmë, pjesë e rrugës sonë drejt një shoqërie që nuk e toleron dhunën, në asnjë formë dhe ndaj askujt”, përfundoi Ministrja Gërvalla.