Në kuadër të aktiviteteve të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka vizituar sot nxënësit e klasës së njëmbëdhjetë në Shkollën e Mesme Ekonomike në Mitrovicë, me të cilët ka bashkëbiseduar për format e ndryshme të dhunës, parandalimin e saj.
Gjatë bashkëbisedimit, Ministrja Gërvalla theksoi rëndësinë e edukimit të brezave të rinj me vlerat e barazisë, respektit për dinjitetin njerëzor dhe refuzimit të çdo forme të dhunës.
“Një shoqëri e barabartë ndërtohet duke filluar nga mënyra si edukohen brezat e rinj. Nga respekti për dinjitetin e secilit, nga marrëdhëniet pa paragjykime mes vajzave dhe djemve dhe nga bindja se dhuna, në çfarëdo forme, nuk mund të arsyetohet dhe as të pranohet si pjesë e jetës sonë”, theksoi Gërvalla.
Ajo diskutoi me nxënësit edhe për sfidat që lidhen me dhunën ndaj grave, dhunën në mjediset shkollore dhe në hapësirën digjitale, duke theksuar se parandalimi i saj kërkon përgjegjësi dhe angazhim të përbashkët nga të gjithë.
“Luftimi i dhunës ndaj grave dhe vajzave kërkon domosdoshmërisht përfshirjen aktive të djemve dhe burrave. Nuk mund të kërkojmë barazi pa angazhimin e të gjithëve dhe nuk mund të ndërtojmë siguri duke e lënë asnjë palë jashtë kësaj përgjegjësie”, deklaroi Ministrja Gërvalla.
Tutja, ajo vlerësoi mendimet dhe pikëpamjet e të rinjve, duke theksuar se përvojat dhe pritjet e tyre duhet të jenë pjesë e politikave që synojnë një shoqëri më të sigurt dhe më të barabartë.
“Jemi shumë me fat me rininë që kemi. Mendimet, pikëpamjet dhe përvojat e tyre janë të çmuara dhe duhet të kenë vendin e merituar edhe në hartimin e Strategjisë Kombëtare për Mbrojtjen nga Dhuna 2027–2031. Politikat që ndërtojmë duhet të pasqyrojnë realitetin që ata përjetojnë dhe pritjet e tyre për një shoqëri më të sigurt dhe më të barabartë”, tha Ministrja Gërvalla.