Skip to content

Genc Nimoni është Zëvendësministër i parë në Ministrinë e Drejtësisë, i emëruar më 20 shkurt 2026.

Ai ka përfunduar studimet bachelor në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës – UP, ndërsa ato master në drejtimin civil poashtu në UP, duke fituar titullin Master i Shkencave Juridike në të Drejtën Civile.

Tutje Nimoni vazhdoi studimet dhe specializimet në SHBA, ku ndoqi dhe përfundoi studimet e magjistraturës për sundim të ligjit dhe qeverisje të mirë (Ohio Northern University, 2020).  Po aty, ai specializoi në Pedagogji Ligjore.

Gjatë karrierës profesionale ka dhënë kontribut të rëndësishëm profesional në zhvillimin e politikave publike, në hartimin e legjislacionit primar dhe sekondar dhe gjithashtu, në forcimin e transparencës dhe llogaridhënies në sistemin e drejtësisë.

Për disa vjet, Nimoni qe i angazhuar në organizatat e shoqërisë civile, ku ushtroi funksone të ndryshme. Ai ishte Udhëheqës i Zyrës Ligjore dhe Menaxher i Projektit të Monitorimit të Gjykatave në Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), Drejtor Ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi, por gjithashtu edhe aktivist i shoqërisë civile dhe udhëheqës në programet për sundimin e ligjit, ato për luftimin e korrupsionit dhe në të tjera për qeverisjen e mirë dhe për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Nga viti 2021 deri në emërimin e tij si Zëvendësministër shërbeu  në Ministrinë e Drejtësisë si Shef i Kabinetit dhe Këshilltar i Lartë, duke kontribuar në zhvillimin e politikave publike dhe reformave në fushën e drejtësisë.

Nimoni është autor i shumë artikujve dhe raporteve në fushën e drejtësisë.

 

Skip to content