
"Me nënshkrimin e kësaj Marrëveshje Këshillimi i bashkojmë forcat me IFC-në dhe SECO-n që të promovojmë një mjedis miqësor për bizneset private duke krijuar një rrjet sigurie për ta dhe investitorët dhe njëkohësisht duke rritur qasjen në kredi" theksoi Zëvendësministrja.
Legjislacioni modern mbi falimentimin dhe praktikat e ristrukturimit të borxhit të bizneseve, mbështeten në rimodelimin e strukturës financiare dhe organizative të debitorëve që përjetojnë vështirësi financiare, për të mundësuar rehabilitimin dhe vazhdimësinë e biznesit të tyre. Sipas Doing Business të Bankës Botërore, reformat më të larta të rimëkëmbjes regjistrohen në ekonomitë ku riorganizimi është procedura e falimentimit më e zakonshme.
"Me synimin për të krijuar një mjedis afarist që është në gjendje të mbajë investimet aktuale dhe të tërheqë ato të reja, do të punojmë me IFC-në e SECO-në për të identifikuar qartë sfidat, e më pas për të përmirësuar kornizën ligjore, qartësuar atë dhe siguruar që të jetë e parashikueshme, e qëndrueshme dhe e drejtë; dhe për më shumë që siguron mbrojtjen e investitorëve dhe palëve të treta, përmes zbatimit të këtij legjislacioni në fuqi.
Do të punojmë gjithashtu në ndërtimin dhe rritjen e kapaciteteve e njohurive në veçanti për administratorët e falimentimit, gjyqtarët, avokatët, bankat dhe përfaqësuesit e bizneseve, për të rritur informacionin mbi këto praktika", përfundoi Shala.
Ary Naim, theksoi se “Investimi në klimën biznesore do t’i ndihmojë kompanitë e Kosovës për të pasur mundësi të ndryshme. Prandaj, që të kemi një bazë të mirë për falimentim, është shumë e rëndësishme kjo marrëveshje. Sepse bizneset kur merren me falimentim do t’i ndihmonte ato që t’i kthehen biznesit dhe t’i mbrojnë punëtorët. Gjithashtu kjo do t’i ndihmojë ata edhe në lidhje me financat. Kështu sistemi i drejtësisë do t’i mënjanonte ngarkesat në gjykatë. Pra, në këtë mënyrë do të ishte zgjidhje për proceset jashtë gjyqësore”.
Përmes kësaj Marrëveshje mes Ministrisë së Drejtësisë dhe IFC-së, do të identifikohen praktikat më të mira dhe do të vihen në aplikim për të ndihmuar në përmirësimin e klimës së biznesit në vendin tonë. Do të synohet që të gjithë akterët të gëzojnë të drejtat e tyre dhe të bartin obligimet e parashikuara me ligjin në fuqi, dhe si rrjedhojë, kreditorët, debitorët, dhe palët treta do të jenë më të mbrojtur në interesat e tyre.