Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, kanë marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore të organizuar me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Heroit të Kombit, Metush Krasniqi.
Në këtë përvjetor jubilar, Ministrja Gërvalla tha se Metush Krasniqi ishte një prej atyre njerëzve përmes të cilëve popujt dëshmojnë veten, duke e cilësuar atë si një “titan të qëndresës kombëtare kur shumëkush u lëkund, i verbuar nga shkëlqimi i rremë i ‘bashkim-vëllazërimit’”.
Ajo theksoi se, në një kohë kur liria e Kosovës ishte ende një ideal që ndiqej me burg, përndjekje, dhunë, terror dhe sakrificë, Metush Krasniqi i dha këtij ideali formë politike, organizim dhe qëndresë.
“Kjo ishte madhështia e Metush Krasniqit, të mendonte përtej kohës në të cilën jetonte dhe të vepronte për një liri që ai vetë mund të mos e shihte. Ai, ëndërrimtari i madh i lirisë së Kosovës. Ai dhe brezi i tij nuk e patën Kosovën që ëndërruan. Por e patën guximin ta kërkonin. E mbajtën gjallë idealin kur kushtonte shtrenjtë ta mbaje. E bartën atë nga një brez te tjetri, derisa ëndrra e tyre u bë realitet”, tha Ministrja Gërvalla.
Duke folur për rëndësinë e trashëgimisë së tij, Ministrja Gërvalla tha se vepra e Metush Krasniqit nuk përbën vetëm një kapitull të lavdishëm të së kaluarës, por është pjesë e themelit mbi të cilin u ngrit vetëdija politike, kombëtare dhe shtetërore e Kosovës.
“100 vjet pas lindjes së tij, nderojmë një Hero të Kosovës, një burrë të madh të idealit kombëtar dhe një prej bartësve qendror të asaj tradite politike që nuk u dorëzua kurrë para historisë. Sot, emri i Metush Krasniqit qëndron aty ku u takon emrave të mëdhenj: në themelin e kujtesës sonë kombëtare, në historinë e lirisë sonë, dhe në nderin e Kosovës. Lavdi e përjetshme Heroit të Kombit, Metush Krasniqit”, theksoi Ministrja Gërvalla.