
Ministrja Haxhiu, në këtë ceremoni përmendi edhe peripecitë që ka kaluar ShKK, shpesh duke qenë në tranzicione, shpesh duke u gjetur nën ndikime dhe direktiva të interesave të ngushta klanore e partiake, të cilat në kohë relativisht të gjatë e kanë dominuar këtë shërbim, duke e zbehur imazhin e tij e duke e degraduar këtë institucion, pa çka se ka ndikuar edhe në humbjen e besimit të qytetarëve, në kredibilitetin dhe aftësinë e tij për të zbatuar misionin ligjor dhe kushtetues.
Ministrja e Drejtësisë, theksoi se do të jetë e përkushtuar që Shërbimit Korrektues vërtetë t’i kthehet dinjiteti, në mënyrë që të vazhdojë të kryej misionin e tij, pa interferime të grupeve apo interesave të tjera që bien ndesh me funksionimin e drejtë të këtij institucioni.
Mision fisnik dhe humanitarë, përveçse ligjor e kushtetues, e quajti Ministrja përkushtimin e stafit dhe punëtorëve që angazhohen në këtë institucion. „Për këto arsye, brenda Ministrisë së Drejtësisë e kemi vënë si prioritet avancimin e ShKK-së në pikëpamje të përmirësimit të statusit dhe kushteve të punës për zyrtarët korrektues dhe personelin tjetër administrativ e profesional; ngritjen e përgjegjësisë në punë duke përfshirë edhe zbatim më të mirë të standardeve të rekrutimit, vlerësimit të përformancës dhe gradimit të personelit; ngritjen dhe avancimin e kapaciteteve profesionale etj“, shtoi ministrja Haxhiu.
Vlen të përmendet që Ministria e Drejtësisë sapo ka përfunduar procesin e plotësim-ndryshimeve të tri ligjeve: Ligji për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale; Ligji për Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe Ligji për Shërbimin Sprovues të Kosovës.
Përfaqësues të organizatave monitoruese e bashkëpunuese me institucionin e Shërbimit Korrektues, si dhe punëtorë të dalluar, pranuan çmime, si deklarim i vlerësimit të përkushtimit të tyre ndaj këtij institucioni.