Me rastin e finalizimit të pesë projektligjeve thelbësore në kuadër të reformës në drejtësi, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, njofton se ato tashmë janë të hapura për konsultim publik.
Projektligjet përkatëse mund t’i gjeni në linqet e bashkëngjitura:
– https://konsultimet.rks-gov.net/viewConsult.php?ConsultationID=43005 (Projektligji për Rekrutimin, Vlerësimin e Performancës, Kontrollin e Integritetit dhe Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve);
– https://konsultimet.rks-gov.net/viewConsult.php?ConsultationID=43006 (Projektligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve);
– https://konsultimet.rks-gov.net/viewConsult.php?ConsultationID=43007 (Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 05/L-095 për Akademinë e Drejtësisë);
– https://konsultimet.rks-gov.net/viewConsult.php?ConsultationID=43008 (Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës);
– https://konsultimet.rks-gov.net/viewConsult.php?ConsultationID=43009 (Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 06/L-055 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës).
Me këtë rast, ajo fton profesionistët e fushës së drejtësisë, studiuesit dhe profesorët, gjyqtarët e prokurorët, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të mediave, si dhe gjithë të interesuarit të dërgojnë komentet e tyre me shkrim, brenda afatit kohor prej 15 ditë pune.
“Shteti ligjor, i barabartë dhe i drejtë për të gjithë, ndërtohet, forcohet dhe mbrohet nga të gjithë ne së bashku”, u shpreh Ministrja Gërvalla.
Ajo theksoi se këto pesë ligje rrisin llogaridhënien dhe krijojnë një kuadër më të qartë dhe më të drejtë për të gjithë profesionistët e sistemit të drejtësisë.
“Secili prej këtyre pesë ligjeve ka një synim të veçantë. Disa përmirësojnë mënyrën se si vlerësohet dhe kontrollohet puna e të gjithë punonjësve të sistemit të drejtësisë; të tjerat rrisin përgjegjësinë dhe integritetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, përmirësojnë proceset e rekrutimit dhe vlerësimit, si dhe rregullojnë mënyrën se si trajtohen çështjet disiplinore dhe standardet profesionale. Ndërsa disa të tjera forcojnë institucionet që mbështesin trajnimin dhe menaxhimin e sistemit të drejtësisë, si dhe funksionimin e Akademisë së Drejtësisë, por edhe të Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor”, vazhdoi tutje Ministrja.
Në fund, duke falënderuar të gjithë për kontributin në përmirësimin dhe forcimin e sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës, Ministrja Gërvalla siguroi se çdo propozim apo koment i pranuar brenda këtij afati do të trajtohet me vëmendje të veçantë nga grupi punues, i cili do të bëjë konsolidimin përfundimtar të projektligjeve.