Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, sot mori pjesë në ceremoninë e rreshtimit të kuadrateve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila u mbajt në Kazermën “Adem Jashari” në shënim të 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.
Me këtë rast, Ministrja Gërvalla theksoi se kjo ceremoni përfaqëson jo vetëm një moment solemn, por edhe një betim të gjallë të një ushtrie që ka trashëguar shpirtin e sakrificës, guximin e përjetshëm dhe krenarinë e tri ditëve që shkruan historinë e Epopesë heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Epopeja heroike e UÇK-së, shembëlltyra e Familjes Jashari dhe idealizmi i mijëra grave e burrave që dhanë gjithçka për lirinë, e bënë përgjithmonë realitet ëndrrën e Kosovës së lirë. Sot, kjo liri qëndron mbi supet e ushtarëve tanë”, u shpreh ajo.
Duke vlerësuar rolin e oficerëve, nënoficerëve dhe ushtarëve profesionistë, Ministrja Gërvalla nënvizoi se përkushtimi dhe sakrifica e tyre meritojnë mirënjohjen më të thellë të shtetit dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
“Falë përkushtimit tuaj, kufijtë e Republikës sonë janë të sigurt dhe qytetarët tanë ndihen të mbrojtur. Ushtria e Kosovës është sot mburoja e shtetit dhe pasqyra e një kombi që e njeh mirë çmimin e lirisë”, deklaroi Ministrja Gërvalla.
Ajo shtoi se vendosmëria e ushtarëve për të mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të Kosovës është garanci për sigurinë dhe sovranitetin e vendit, sot dhe në të ardhmen.
“Shkëlqimi i Ushtrisë së Kosovës sot është në vendosmërinë për të mbrojtur çdo pëllëmbë të kësaj toke sovrane, cep më cep kufijve të saj. Sot, nesër dhe për aq sa të ekzistojë Republika e Kosovës”, përfundoi Ministrja Gërvalla.