Skip to content
Ministria e Drejtësisë organizon trajnim për mbrojtjen e sinjalizuesve dhe forcimin e mekanizmave të sinjalizimit

Ministria e Drejtësisë organizon trajnim për mbrojtjen e sinjalizuesve dhe forcimin e mekanizmave të sinjalizimit

Prishtinë, 03/09/2026

Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me Institutin e Kosovës për Administratë Publike (IKAP), është duke zhvilluar trajnimin me temën “Mbrojtja e të drejtave të sinjalizuesve në administratën publike”, me qëllim të avancimit të njohurive dhe kapaciteteve profesionale të zyrtarëve publikë në fushën e sinjalizimit.

Trajnimi, i cili po mbahet në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, trajton kuadrin ligjor dhe institucional për mbrojtjen e sinjalizuesve, procedurat për pranimin dhe trajtimin e rasteve të sinjalizimit, si dhe përgjegjësitë e personave dhe institucioneve të përfshira në këtë proces.

Gjatë trajnimit po trajtohen, ndër të tjera, Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, Rregullorja për përcaktimin e procedurës për pranimin dhe trajtimin e rasteve të sinjalizimit, Udhëzuesi për mënyrën e kryerjes së hetimit administrativ, si dhe udhëzuesit për mbrojtjen e personave që raportojnë në interes publik.

Përmes këtij trajnimi synohet forcimi i mekanizmave të sinjalizimit në administratën publike, rritja e efektivitetit në trajtimin e rasteve, si dhe promovimi i një kulture institucionale që mbështet raportimin e shkeljeve dhe garanton mbrojtjen e sinjalizuesve.

Skip to content