
Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, ka pritur sot në takim lamtumirës të dërguarin e posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), z. Farid Zarif.
Gjatë këtij takimi Ministri Kuçi e ka falënderuar z. Zarif për punën e tij gjatë misionit të tij në Kosovë dhe përkrahjen që ka ofruar ky mision në Kosovë, në veçanti në fuqizimin e sektorit të sundimit të ligjit.
I dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, z. Zarif, ka shprehur mirënjohjen e tij për bashkëpunimin e deritanishëm dhe ka siguruar Ministrin Kuçi që UNMIK-u do të jetë i hapur dhe bashkëpunues edhe në të ardhmen.
Ministri Kuçi ritheksoi vullnetin dhe gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për të bashkëpunuar me Kombet e Bashkuar, gjithmonë duke synuar anëtarësimin e Kosovës në OKB në të ardhmen e afërt. Me theks të veçantë ai përmendi edhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në UNESCO, realizimi i të cilës është hap kyç drejt rritjes së bashkëpunimit me trupat e specializuara dhe Kombet e Bashkuara.