
Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, ka pritur sot në takim Drejtorin e projektit zviceran për mbështetje të sistemit noterial të Kosovës, z. Michel Marlot.
Ministri Kuçi pasi foli për punët që janë bërë në fuqizimin e sistemit noterial në Kosovë, theksoi vullnetin për të bashkëpunuar më tutje në ofrimin e shërbimeve sa më të mira dhe më profesionale për qytetarët.
Qëllimi i Ministrisë së Drejtësisë është që, Republika e Kosovës të ketë një sistem të noterisë të krahasueshëm me shtetet e rajonit dhe të BE-së, sidomos pas anëtarësimit të saj me të drejta të plota në Unionin Ndërkombëtar të Noterëve.
Në këtë takim u diskutua për efektin që sistemi noterial i ka sjellur sistemit të drejtësisë, në veçanti në punën e gjyqësorit, duke liruar këta të fundit nga disa përgjegjësi që kanë pasur deri me tani. Gjithashtu, u diskutua për mundësitë e avancimit të mëtutjeshëm të sistemit të noterisë përmes plotësimit dhe ndryshimit të ligjeve, por edhe rritjen e zbatimit në praktikë të legjislacionit.
Në takim u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit të sistemit të noterisë me institucionet e tjera të drejtësisë, në mënyrë që së bashku t`u ofrohen qytetarëve shërbime sa më të mira dhe profesionale. Në këtë kontekst ngjashëm, si edhe tek institucionet e tjera është shumë e rëndësishme efikasiteti, profesionaliteti dhe llogaridhënia ndaj qytetarëve për shërbimet e ofruara.