Skip to content
Bashkëpunim me INL – Ambasada Amerikane në Kosovë dhe FMCS të SHBA për përmirësimin dhe forcimin e Ndërmjetësimit

Bashkëpunim me INL – Ambasada Amerikane në Kosovë dhe FMCS të SHBA për përmirësimin dhe forcimin e Ndërmjetësimit

Prishtinë, 25/03/2022

Ministria e Drejtësisë, e përfaqësuar nga Këshilltari i Lartë dhe Shefi i Kabinetit – z. Genc Nimoni dhe Këshilltari Politik – z. Eros Gashi, priti në takim z. Shawn Waddoups – Drejtor nga Byroja Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Zbatim të Ligjit (INL) – Ambasada Amerikane në Kosovë, znj. Dafina Bardhi Rexhepi – përfaqësuese nga INL, z. Pete Swanson, përfaqësues nga Shërbimi Federal i Ndërmjetësimit dhe Pajtimit (FMCS) të SHBA-së, z. David Moora dhe znj. Emily Rife – Komisionerë në FMCS.

Në takim u diskutua për për projektin e Ministrisë së Drejtësisë dhe Shërbimin Federal të Ndërmjetësimit dhe Pajtimit (FMCS) të SHBA-së, të mbështetur dhe të financuar nga Zyra për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe të Zbatimit të Ligjit (INL) pranë Ambasadës së SHBA-së, në mbështetje të Akademisë së Drejtësisë për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të ndërmjetësimit në Kosovë.

Ky projekt, përveçse do të ndihmojë Akademinë e Drejtësisë në trajnimin dhe mentorimin e ndërmjetësuesve trajnues të specializuar në Kosovë, do të lehtësojë realizimin e misionit të Ministrisë së Drejtësisë për krijimin e kushteve më të mira për qytetarët dhe bizneset në zgjidhjen alternative te kontesteve.

Përderisa z. Waddoups prezantoi qëllimin e projektit të financuar nga INL, z. Nimoni dhe z. Gashi u shprehën falënderues, duke ofruar mbështetjen e plotë të Ministrisë së Drejtësisë për jetësimin e këtij projekti, si dhe duke theksuar se forcimi i profesioneve të lira ligjore dhe ndërmjetësimit në veçanti është një nga prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë.

Skip to content