
Sot, Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha në përmbylljen e vitit priti në takim jo formal përfaqësues nga mediat dhe shoqëria civile të cilat i falënderoi për bashkëpunim dhe ftoi që ky bashkëpunim të vijoj edhe në vitin 2017.
Të pranishmëve, Ministrja Hoxha ju drejtua me një fjalë rasti ku edhe theksoi se gjatë viteve të fundit, vëmendja e qytetarëve të Kosovës është drejtuar drejt sundimit të ligjit, duke qenë se ky proces është shtyllë e shtet ndërtimit dhe realizimit me sukses të fazës integruese euro-atlantike.
Ministrja Hoxha tha se gjatë muajve të fundit, kam punuar vazhdimisht për të promovuar, mbrojtur dhe fuqizuar sundimin e ligjit. “Vazhdimisht u kemi bërë thirrje edhe zbatuesve të politikave që të na bashkëngjitën në këtë angazhim permanent dhe për këtë i falënderoj sinqerisht të gjithë bashkëpunëtorët e brendshëm dhe të jashtëm”, tha Ministrja Hoxha.
Ministrja Hoxha tha se fuqizimi i sundimit të ligjit është prioritet i saj. Për të pasur rezultate konkrete në fushën e drejtësisë, sundimit të ligjit, luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, duhet të kemi një bashkëpunim të të gjithë akterëve relevant, ndërinstitucional, me qëllim që rendi dhe sundimi i ligjit të zbatohen plotësisht në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
“Në vitin që po vjen, Ministria e Drejtësisë do të jetë edhe më e përkushtuar në shërbim të qytetarëve të vendit dhe fuqizimin e sundimit të ligjit.
Fuqizimi i sundimit të ligjit si element kryesor i politikave shtet ndërtuese, është obligimi ynë ndaj atyre që kontribuuan që Kosova të jetë shtet i pavarur, ndaj brezave të rinj që po e gëzojnë këtë shtet dhe ndaj të gjithëve që besuan dhe vazhdojnë të besojnë në Kosovën shtet demokratik dhe shtet i së drejtës”, tha në përmbyllje të fjalës së saj Ministrja Hoxha, dhe ftoi mediat dhe Organizatat joqeveritare të vazhdojnë bashkëpunimin me Ministrinë e Drejtësisë, edhe në vitin 2017.