Ushtruesi i Detyrës së Ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, mori pjesë sot në tryezën e organizuar me përfaqësues të Prokurorisë, Gjykatave dhe Policisë së Kosovës me temën “Forcimi i Bashkëpunimit Juridik Rajonal përmes bashkëpunimit të ngushtë institucional”.
Në fjalën e tij hyrëse, U.d. ministri Sallahu theksoi se bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ai rajonal nuk është vetëm kërkesë administrative, por një mekanizëm strategjik për ndërtimin e një sistemi drejtësie të qëndrueshëm, efikas dhe të besueshëm. Sipas tij, ky bashkëpunim është thelbësor për parandalimin dhe luftimin e krimit rajonal dhe transnacional, përfshirë krimin e organizuar, korrupsionin, krimet kibernetike dhe terrorizmin.
Ministri Sallahu potencoi se arritjet e vitit 2024 në fushën e bashkëpunimit juridik – ndërkombëtar, janë dëshmi e qartë se Kosova është një partner serioz, i përgjegjshëm dhe i besueshëm ndërkombëtarisht, i përkushtuar ndaj sundimit të ligjit dhe forcimit të subjektivitetit të saj ndërkombëtar.
I pranishëm ishte edhe Drejtori i Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, Gazmend Çitaku, i cili prezantoi punën dhe rezultatet si dhe diskutoi mbi sfidat dhe sukseset në bashkëpunim ndërkombëtare në fushën e drejtësisë.
Gjatë vitit 2024 në fushën e bashkëpunimit juridik – ndërkombëtar, Ministria e Drejtësisë ka realizuar 80 ekstradime, 4 mijë e 950 kërkesa dhe përgjigje dhe 5 transferime të personave të dënuar. Përveç tyre, janë përfunduar marrëveshja me Belgjikën dhe Austrinë për ndihmë të ndërsjellë juridike, ekstradim dhe transferim të të dënuarve, si dhe plotësim-ndryshimin e marrëveshjes me Shqipërinë.
Po ashtu është finalizuar marrëveshja me Suedinë, Slloveninë, nënshkrimi i Konventës së Lubjanës-Hagës dhe vendosjen e reciprocitetit me Panamanë në fushën e ndihmës juridike ndërkombëtare.