Skip to content
Bashkimi Evropian mbështet Institutin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës për të fuqizuar sundimin e ligjit dhe për të ndihmuar në identifikimin e personave të zhdukur

Bashkimi Evropian mbështet Institutin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës për të fuqizuar sundimin e ligjit dhe për të ndihmuar në identifikimin e personave të zhdukur

Prishtinë, 15/09/2022

Projekti i Bashkimit Evropian që i dedikohet ngritjes së kapaciteteve të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës (IML) prezantoi sot në Prishtinë punën e Institutit dhe planet për zhvillimin e mëtejshëm të tij, përfshirë akreditimin me ISO.

BE-ja, edhe nëpërmjet EULEX-it, nisi investimin në zhvillimin e kapaciteteve të mjekësisë ligjore në Kosovë në vitin 2008 në përpjekje për të fuqizuar sundimin e ligjit dhe për të ndihmuar në identifikimin e personave të zhdukur.

“Një nga synimet kryesore strategjike të Ministrisë së Drejtësisë është sundimi i ligjit dhe mbrojtja dhe respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut. Një Institut i Mjekësisë Ligjore që është i pavarur, efikas dhe efektiv në ofrimin e shërbimeve të veta profesionale për agjencitë e zbatimit të ligjit dhe gjyqësorin i kontribuon në mënyrë domethënëse arritjes së atij qëllimi” tha Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu e cila theksoi rëndësinë e përkrahjes së BE-së për zhvillimin e mjekësisë ligjore dhe sundimit të ligjit në Kosovë.

“Shërbimet e mjekësisë ligjore janë themelore për gjyqësor që funksionon dhe për një sistem të fuqishëm të sundimit të ligjit pasi ato ndihmojnë në konstatimin e fakteve dhe përftojnë dëshmi kyçe gjatë hetimeve penale dhe të tjera dhe gjatë procedurave gjyqësore” tha Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

“Prandaj, është e domosdoshme që këto shërbime shumë të specializuara të kryhen në mënyrë shkencore, nga profesionistë të kualifikuar, të trajnuar mirë dhe të pajisur si duhet dhe kjo është çka BE-ja po ndihmon që të arrihet në Kosovë”, shtoi Szunyog duke theksuar se sundimi i ligjit është parakusht për integrimin evropian.

Shefi i Misionit të EULEX-it në Kosovë Lars-Gunnar Wigemark, theksoi se përcaktimi i fatit të personave të zhdukur është përkushtimi i përditshëm i EULEX-it.

“Që nga fillimi i mandatit tonë e deri më sot, EULEX-i ka zhvilluar 700 operacione në terren dhe ka identifikuar 332 persona të zhdukur. Ekspertët tanë do të vijojnë të punojnë bashkërisht me homologët tanë vendorë pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore për të identifikuar varrezat e mundshme të fshehura dhe për të identifikuar viktimat e ndërlidhura me luftën në Kosovë dhe pas saj. Gjithashtu ne do të vazhdojmë ta mbështesim Institutin në kuadër të protokollit të ardhshëm për trajtimin e viktimave në rastet e dhunës seksuale, si dhe do ta rrisin vetëdijësimin për këtë çështje” tha Wigemark.

IML-ja që vepron në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë ka miratuar kohëve të fundit Strategjinë për Zhvillim, një dokument kyç ky që hedh themelet për vizionin e zhvillimit afatgjatë të tij.

Drejtoresha e Përgjithshme ne detyre e IML-së, Flutra Goga Bajrami, theksoi se “strategjia dhe akreditimi i pritshëm me standardin ISO 17025:2017 të laboratorit të toksikologjisë jo vetëm që do të rrisin cilësinë e shërbimeve tona, por edhe do t’i kontribuojnë rritjes së besimit të publikut në institucionet e drejtësisë dhe sundimin e ligjit”.

Objektivi kryesor i Bashkimit Evropian është përkrahja e Institutit të Mjekësisë Ligjore për të fuqizuar dhe modernizuar shërbimet e veta mjeko-ligjore, kapacitetet teknike dhe administrative dhe për të përmirësuar bashkëpunimin ndërinstitucional.

Nga viti 2014 e deri më sot, BE-ja ka investuar rreth EUR 3 milionë për të ngritur Institutin dhe kapacitetet profesionale të stafit të tij.

Skip to content