
Përfaqësuesit e Kosovës dhe Bashkimit Europian, u takuan sot në Bruksel për herë të tretë në kuadër të Dialogut të Strukturuar për Sundimin e Ligjit. Gjatë këtij takimi, pala kosovare paraqiti një pasqyrë të hollësishme të progresit të bërë në fushën e sundimit të ligjit gjatë vitit 2013.
Në takim u kërkua që Kosova, deri në fund të muajit prill, të përgatisë një strategji gjithëpërfshirëse mbi sundimin e ligjit dhe një planveprimi. Kjo do të i mundësonte BE-së dhe donatorëve tjerë t'i ofrojnë ndihmë strategjike Kosovës gjatë tre viteve të ardhshme. Kjo, po ashtu do t'i mundësoj Kosovës që më mënyrë graduale të marrë përsipër nga EULEX-i përgjegjësitë që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit.
Dialogu i Strukturuar për Sundimin e Ligjit, ofron mundësi për diskutime politike të nivelit të lartë që lidhen me drejtësinë, lirinë dhe sigurinë, gjyqësorin dhe të drejtat themelore. Në takimin e sotëm u diskutua lidhur me reformën gjyqësore dhe gjyqësorin, pavarësinë e gjyqësorit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe parandalimin efektiv të korrupsionit. Shërbimi i Punëve të Jashtme i Bashkimit Evropian ofroi një pasqyrë të shkurtër rreth procedurës së rishikimit të ardhshëm të misionit të sundimit të ligjit në Kosovë, EULEX, riishikim i cili së shpejti do të diskutohet në Këshillin e BE-së.
Takimi u drejtua nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim i Komisionit Evropian, Christian Danielsson. Gjithashtu, pjesëmarrës ishin përfaqësues të Komisionit dhe Shërbimit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian (EEAS), Shefi i Misionit të EULEX-it, Bernd Borchardt dhe Përfaqësuesi Special i BE-së – Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar.
Në këtë delegacion, i cili u kryesua nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, pjesëmarrës ishin edhe Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi dhe Ministrja për Integrime Europiane, Vlora Çitaku. Pjesë e delegacionit gjithashtu ishin edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, drejtues të institucioneve përgjegjëse të gjyqësorit, Policisë, Agjencionit Kundër Korrupsion dhe të pjesëmarrës të tjerë.
Dialogu i Strukturuar për Sundimin e Ligjit ka mbajtur mbledhjen inauguruese më 30 maj 2012 në Bruksel dhe takimin e tij të dytë më 12 shkurt 2013 në Prishtinë. Dialogu i Strukturuar paraqet angazhimin afatgjatë në mes të BE-së dhe Kosovës për të forcuar sundimin e ligjit; pra përqendrohet në gjyqësor, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në mënyrë të veçantë me qëllim që të mbështes Kosovën në adresimin e sfidave sa i përket sundimit të ligjit në një fazë të hershme në procesin e zgjerimit.