
Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi ka pritur sot në takim Kryetarin e Komisionit të Venecias, z. Gianni Buquicchio, i cili është shoqëruar nga Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi.
Ministri Kuçi e ka njoftuar Kryetarin Buquicchio me reformat e vazhdueshme në sistemin e drejtësisë, në funksion të kthimit të besimit të qytetarëve në drejtësi. Prioritet i prioriteteve gjatë këtij mandati është rishikimi strategjik i sektorit të drejtësisë, me qëllim të konsolidimit të legjislacionin dhe ngritjes së funksionalitetit të institucioneve.
Njëkohësisht, Ministri Kuçi ka kërkuar thellimin e bashkëpunimit me Komisionin e Venecias për të përfituar nga ekspertiza e ofruar, për t’u siguruar që legjislacioni i hartuar plotësisht respekton të drejtat themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Ministri Kuçi ka propozuar që në të ardhmen e afërt të organizohet një punëtori e përbashkët për t’u siguruar që institucionet e Kosovës t’i përdorin sa më shumë resurset e ofruara nga Komisioni i Venecias.
Komisioni i Venecias, si pjesë e Këshillit të Evropës, është trupë këshillëdhënëse e pavarur e ekspertëve që ofron vlerësime ligjore lidhur me çështje që kanë të bëjnë me kushtetutshmërinë, me qëllim të përmirësimit të funksionimit të institucioneve demokratike dhe mbrojtjes së drejtave të njeriut. Republika e Kosovës është anëtare me të drejta të plota në Komisionin e Venecias, organizatë e përbërë nga 60 shtete anëtare.
Kryetari Buquicchio u shpreh i gatshëm në ofrimin e përkrahjes së vazhdueshme ndaj Kosovës. Kryetari Buquicchio u shpreh që anëtarësimi i Kosovës në Komisionin e Venecias nuk dëshmon vetëm shtetësinë e Kosovës, por edhe vullnetin e Kosovës për ta avancuar legjislacionin në përputhje me standardet evropiane.
Buquicchio gjithashtu është shprehur që anëtarësimi i Kosovës në Komisionin e Venecias është shembull i mirë për anëtarësimin e Kosovës edhe në UNESCO dhe Këshillin e Evropës.
Me ftesë të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Rama-Hajrizi, Kryetari i Komisionit të Venecias Buquicchio po qëndron në Kosovë për të marrë pjesë në ceremoninë e kremtimit të Vitit Gjyqësor të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.