
Zj. Alexandra Papadopoulou (Shefe e Misionit, EULEX)
Zj. Nataliya Apostolova (Shefe e Zyrës së BE/Përfaqësuese Speciale e BE-së)
Z. Abelard Tahiri (Ministër i Drejtësisë, MD)
Z. Nehat Idrizi (Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, KGJK)
Z. Blerim Isufaj (Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, KPK)
Konkluzioni i përbashkët 1: Publikimi i Raportit të Progresit të Marrëveshjes Kompakte për vitin 2018
Bordi bëri publikimin e Raportit të fundit të Progresit të Marrëveshjes Kompakte, të përgatitur nga Sekretariati i BPSL-së.
Konkluzioni i përbashkët 2: Njoftim për Udhërrëfyesit e BPSL-së
Bordi u informua lidhur me statusin e Udhërrëfyesve të BPSL-së, që u paraqitën nga Shefja e Misionit EULEX, si dhe u pajtua me nevojën e zbatimit të plotë të tyre. Pasi që ky do të jetë takimi i fundit i këtij Bordi, Ministria e Drejtësisë u zotua që ta vazhdojë zbatimin e Udhërrëfyesve të BPSL-së në kuadër të iniciativës Drejtësia 2020.
Konkluzioni i përbashkët 3: Mandati i ri i EULEX-it
Shefja e Misionit EULEX e prezantoi mandatin e ri të EULEX-it në kontekstin e sistemit të drejtësisë së Kosovës si dhe ri-konfigurimin e këtij Misioni. Ministri i Drejtësisë e përshëndeti mandatin e ri të EULEX-it, duke e mirëpritur bashkëpunimin e ardhshëm, në veçanti nëpërmjet agjendës Drejtësia 2020.
Konkluzioni i përbashkët 4: Shqyrtimi funksional i sektorit të Sundimit të Ligjit
Bordi e përshëndeti progresin e bërë në Shqyrtimin funksional të sektorit të Sundimit të Ligjit, i cili tashmë ka arritur në fund të fazës së analizimit. Për shkak të shqetësimeve se ky Shqyrtim funksional do të mund ta vononte miratimin e projektligjit për Agjencinë Kundër Korrupsionit dhe Projektligjit për Deklarimin dhe origjinën e pasurisë dhe dhuratave të zyrtarëve të lartë publikë, të cilët janë jashtëzakonisht të rëndësishëm për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, prioritet i BE-së për Kosovën, PSBE dhe Ministri i Drejtësisë u pajtuan që ta gjejnë një kompromis ashtu që të mos ngadalësohet zbatimi i Agjendës për Reforma Evropiane.
Konkluzioni i përbashkët 5: Prezantimi i Drejtësia 2020
Ministri i Drejtësisë e prezantoi iniciativën Drejtësia 2020, e cila do të realizohet në bashkërendim të ngushtë me Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, si dhe me përkrahjen e PZBE/ZBE, EULEX-it, Ambasadës së SHBA-ve dhe Ambasadës Britanike. Bordi u pajtua që, në të ardhmen, t’i bashkërendojë angazhimet për reforma në fushat përkatëse të sundimit të ligjit në kuadër të iniciativës Drejtësia 2020.
Konkluzioni i përbashkët 6: Pakoja e ligjeve kundër korrupsionit
Ministri i Drejtësisë e prezantoi progresin e konsiderueshëm të arritur në procesin e miratimit të ligjeve që kanë të bëjnë me luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Bordi e përshëndeti progresin e bërë në këtë drejtim, ndërsa PSBE e theksoi rëndësinë e miratimit të ligjeve të mbetura, veçanërisht të atyre që janë në fazë të leximit të dytë.
Konkluzioni i përbashkët 7: Gjyqësori
Kryesuesit e Këshillave Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës paraqitën raportime të hollësishme për progresin e bërë në rritjen e numrit të gjyqtarëve, prokurorëve dhe personelit administrativ në fushat përkatëse të tyre. Në përgjigje ndaj kësaj, Shefja e Misionit EULEX i përshëndeti përpjekjet e bëra për ta rritur numrin e prokurorëve në Prokurorinë Speciale të Kosovës, duke nënvizuar se do të duhen prokurorë shtesë duke e pasur parasysh se EULEX-i i ka dorëzuar një numër të madh të dosjeve të rasteve tek autoritetet vendase.
PSBE njoftoi lidhur me përgatitjet në vijim e sipër sa i përket Raportit për Kosovën për vitin 2019, duke e falënderuar secilin për kontributin e dhënë nga ta. Në lidhje me këtë, ajo e përshëndeti miratimin e ligjeve si pjesë e “Pakos së Drejtësisë,” duke e pasur parasysh se në këtë fushë ishte bërë shumë punë. Po ashtu, ajo e përgëzoi Ministrin e Drejtësisë për angazhimet e vazhdueshme të bëra në zbatimin e kritereve të ndërlidhura me sundimin e ligjit në kuadër të Agjendës për Reforma Evropiane.