
Në një ceremoni të organizuar nga Ministria e Drejtësisë, sot u bë certifikimi i 21 përmbaruesve të parë privatë në Republikën e Kosovës.
Me këtë rast, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, tha se themelimi i institucionit të noterisë, ndërmjetësimit dhe përmbaruesve privatë, është lehtësim për punën e gjyqësorit, por edhe lehtësim për qasjen e qytetarëve në drejtësinë e Kosovës.
“Në mandatin tim si Ministër kam përfunduar punët me noterët, ndërmjetësuesit dhe përmbaruesit privatë dhe këto punë jemi duke i bërë që t’i ndihmojnë sistemit të drejtësisë”, tha Kuçi.
Ministri Kuçi, tha se përmbaruesit e parë privatë do ta ndërtojnë traditën e sistemit të përmbaruesve privatë, duke shprehur besimin e tij se do të janë të suksesshëm.
“Besimi në drejtësi është shumë me rëndësi për qytetarët e vendit tonë. Besimi në drejtësi nuk arrihet nëse qytetarët tanë presin gjatë për ta shqyrtuar, apo ekzekutuar një lëndë, andaj e ftojë Këshillin Gjyqësorë të Kosovës që bashkërisht të rrisim besimin në drejtësi”, shtoi Kuçi.
Kryetari i Komisionit të përmbaruesve privatë, Iset Morina tha se Komisioni është munduar që me përkushtim të madh ta kryej detyrën që i është besuar në bazë të udhëzimit administrativ dhe vendimit të Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Drejtësisë, duke shprehur besimin e tij që kanë realizuar një punë të suksesshme.
Drejtori i Programit për përmbarim dhe legjislacion komercial, David Girth, pasi urojë përmbaruesit privatë, tha se për shtetet në tranzicion është shumë e rëndësishme qasja në drejtësi.
Në fund, Ministri Kuçi ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në të gjitha fazat deri të certifikimi i 21 përmbaruesve privatë.