
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka zhvilluar një takim me krerët e institucioneve të drejtësisë së Republikës së Kosovës, Kryeprokurorin Ismet Kabashi, Kryetarin e Këshillit Gjyqësor, Enver Peci, Kryetarin e Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani dhe Kryetarin e Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj, me të cilët ka biseduar lidhur me pozitën e Kosovës për Ligjin për Amnisti dhe detaje tjera rreth implementimit të Marrëveshjes në fushën e drejtësisë.
Zëvendëskryeministri Kuçi, tha se puna për Projektligjin për Amnistinë ka filluar që nga viti 2011 dhe se qëllimi i projektligjit është që amnistia të përfshije vepra të caktuara dhe prej të cilit do të përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës që janë subjekt i këtyre procedurave penale. Prandaj, qëllimi i Qeverisë së Kosovës nuk ka qenë dhe nuk do të jetë, që ky ligj të aplikohet në mënyrë selektive për ndonjë pjesë të territorit të Kosovës, apo për një pjesë të qytetarëve të saj. Këto udhëzime i`u dhanë edhe këtij grupi punues i cili do të jetë i madnatuar për të punuar përmbajtjen e këtij Ligji dhe obligimet rreth tij që rrjedhin nga Marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë.
Zëvendëskryeministri, kërkoi nga përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë mbështetje profesionale gjatë hartimit të Projektligjit për Amnisti në mënyrë që pas miratimit të tij, të ketë një Ligj i cili do t’i plotësojë kriteret ndërkombëtare.
Anëtarët e grupit punues për drejtësi morën gjithashtu qëndrimet politike nga Ministri edhe për çështje të tjera të cilat mbesin të konkretizohen akoma më shumë me plane të tjera të implementimit të kësaj marrëveshjeje, të cilat ata u zotuan se do t’i mbrojnë në Bruksel.