
Në një ceremoni të organizuar nga Ministria e Drejtësisë, sot dhanë betimin përmbaruesit e parë privatë në Republikën e Kosovës.
Në këtë ceremoni ka marrë pjesë Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, krerët e institucioneve të drejtësisë, si dhe përfaqësues të institucioneve tjera vendore dhe ndërkombëtare.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Ministri Kuçi tha se sot është një moment i mirë për Ministrinë e Drejtësisë, por edhe për drejtësinë e Kosovës ku po bëhet edhe një plotësim në arkitekturën e drejtësisë në Republikën e Kosovës dhe mbi të gjitha për herë të parë do të ketë përmbaruesit privat.
“Në mandatin tim si Ministër, kam pasur për detyrë që ta rrumbullakojmë arkitekturën e drejtësisë në veçanti me profesionet e lira, përfshirë noterët, ndërmjetësuesit, arbritrat, por edhe përmbaruesit privat”, tha Kuçi.
Ministri Kuçi tha se përmbaruesit privat do të ndihmojnë në zvogëlimin e lëndëve në gjykatat e Republikës së Kosovës ngase sipas tij, gjysma e lëndëve kanë të bëjnë me ekzekutimin e tyre dhe mbi të gjitha qytetarëve të Republikës së Kosovës do tu mundësohet qasja më e lehtë dhe më e shpejt në drejtësi.
Ministri Kuçi, po ashtu duke vlerësuar punën e komisionit, tha se në të ardhmen do të vazhdojnë me përzgjedhjen e kandidatëve të rinj për përmbarues privat, që sipas tij do të bëhet sipas ligjeve në fuqi dhe procedurave ligjore. Ministri Kuçi, i uroi përmbaruesit privat dhe i ftojë që të respektojnë në tërësi ligjin dhe mbi të gjitha etikën profesionale.
Për rëndësinë që do ta kenë përmbaruesit privat në sistemin e drejtësisë dhe në veçanti në zvogëlimin e lendeve nëpër gjykata, folën edhe Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci dhe Kryeprokurori Ismet Kabashi. Ndërsa, Drejtori i Projektit të USAID-it, për Përmbarim dhe Legjislacion Komercial, David Greer, tha se sundimi i ligjit është kyç për një Kosovë të lirë dhe për sundimin e ligjit, ai shprehu kënaqësinë e tij për punën e përbashkët që është bërë në finalizimin e këtij profesioni, duke e vlerësuar këtë profesion si shumë të rëndësishëm në sundimin e ligjit në Kosovë.
Kryetari i Komisionit të Përmbaruesve Privat, Iset Morina, duke e folur për punën që ka bërë komisioni, shprehi kënaqësinë e tij që kjo punë po finalizohet me betimin e përmbaruesve të parë privat në Republikën e Kosovës. Përmbarues privat është personi fizik i emëruar nga Ministri i Drejtësisë në pajtim me dispozitat e Ligji për Procedurat Përmbarimore, i cili në kryerjen e autorizimeve publike të besuara sipas këtij ligji, vendos për veprimet nga kompetenca e tij në zbatimin e përmbarimit të lejuar dhe ndërmerr veprime për përmbarim.