Sot, Zëvendësministri i Drejtësisë, z. Genc Nimoni, mori pjesë në punëtorinë kushtuar digjitalizimit të komunikimit ndërmjet avokatëve dhe gjykatave, në kuadër të së cilës u prezantua edhe përvoja e Francës me platformën e-Barreau.
Gjatë fjalës së tij, Zëvendësministri Nimoni theksoi se digjitalizimi i drejtësisë nuk nënkupton vetëm përfshirjen e teknologjisë në proceset institucionale, por mbi të gjitha thjeshtimin e procedurave, reduktimin e barrës administrative dhe përmirësimin e qasjes në drejtësi.
Ai nënvizoi hapat e ndërmarrë nga Ministria e Drejtësisë, duke përfshirë digjitalizimin e Evidencës Penale përmes miratimit të Ligjit për Sistemin Qendror të Evidencës Penale të Kosovës, licencimin dhe certifikimin e profesioneve të lira, aplikimin për Provimin e Jurisprudencës dhe sistemin noterial.
Tutje, Zëvendësministri bëri të ditur se në Programin e ri Legjislativ janë paraparë ndryshime të reja ligjore në këtë fushë, të cilat, në bashkëpunim me institucionet e tjera relevante, mund të shërbejnë si mundësi për të shqyrtuar përshtatjet e nevojshme ligjore për mbështetjen e komunikimit elektronik ndërmjet avokatëve dhe gjykatave.
Gjatë punëtorisë, Kryesuesi i Komisionit për Digjitalizim të Këshillit Kombëtar të Avokatëve të Francës (CNB), Philippe Baron, prezantoi përvojën franceze me platformën e-Barreau, e cila mundëson komunikimin elektronik ndërmjet avokatëve dhe gjykatave.
Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar për avancimin e mëtejshëm të digjitalizimit të sistemit të drejtësisë me synim krijimin e një sistemi më modern, efikas dhe të qasshëm për qytetarët dhe profesionistët ligjor.