Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se digjitalizimi i sistemit të licencimit për profesionet e lira do të ndikojë në meritokraci, efikasitet, minimizim të burokracisë, si dhe do të rrisë transparencën e ndërtojë besimin ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve shtetërore, duke ulur në mënyrë të ndjeshme hapësirat për abuzime apo ndërhyrje të ndryshme të paligjshme.
“Në të gjitha këto punohet pa ndalur me qëllim të lehtësimit të përditshmërisë së qytetarëve tanë, por edhe në zvogëlimin e kontaktit ndërpersonal i cili jo rrallë na shpie te korrupsioni dhe, kësisoj, edhe tek ngadalësimi dhe politizimi i administratës publike. Kjo tanimë po merr fund”, tha kryeministri Kurti.
Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se lansimi i këtij moduli është hap i rëndësishëm dhe mundësi shtesë për të përmirësuar edhe më tej mënyrën se si menaxhohen dhe rregullohen profesionet e lira, si dhe ka për qëllim të thjeshtojë procedurat administrative e të eliminojë burokracinë e panevojshme.
"Ky modul do të lehtësojë procesin e aplikimit, dhënies së provimit dhe pajisjes me certifikatë për juristët, duke ofruar një qasje më të thjeshtë dhe më të shpejtë. Kjo është vetëm pjesë e një iniciative më të gjerë që përfshinë edhe digjitalizimin në fushën e noterisë, ndërmjetësimit, përmbarimit privat, etj.", tha ministrja Haxhiu.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, përgëzoi Ministrinë e Drejtësisë për digjitalizimin e sistemit të licencimit për profesionet e lira që, sipas tij, do të eliminojë vështirësitë dhe burokracitë.
Edhe përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Johannes Madsen, dhe Udhëheqësi i Bashkëpunimit Gjerman për Zhvillim – Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Daniel Alker, vlerësuan si zhvillim progresiv digjitalizimin e Profesioneve të Lira.
Moduli i Certifikimit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës parasheh procedurën prej aplikimit për dhënie të provimit e deri tek certifikimi i kandidatit, ndërsa qasja në këtë modul ofrohet përmes platformës qeveritare eKosova
.