Skip to content
Diskutim i organizuar nga Lëvizja FOL

Diskutim i organizuar nga Lëvizja FOL

Prishtinë, 05/05/2021

Ministrja Haxhiu potencoi se përvoja dhe angazhimi përgjatë qeverisjes Kurti I, ndonëse në periudhë të shkurtër, ka mundësuar njohjen e problemeve dhe skanimin e gjendjes së brendshme në kuadër të këtij institucioni, ndërkaq me t’u rikthyer tani, ka filluar dinamika e menjëhershme përkitazi me prioritetet e kësaj qeverie, respektivisht Ministrisë së Drejtësisë, ndërkaq njoftoi që të premten e kësaj jave do të aprovohet edhe programi qeverisës i cili do të shkoj edhe në Kuvend për t’u diskutuar e debatuar me deputetë.

Në trajtimin e prioriteteve të Ministrisë së Drejtësisë, ministrja Haxhiu theksoi se tashmë jemi në fazën e përpilimit të strategjisë dhe përfundimit të procesit të Rishikimit Funksional. Ky proces ka nisur kohë më parë, dhe se rëndësia e tij nuk na lejon që të vonohemi, ndonëse sfidë evidente mbetet implementimi i tij.

Marrë parasysh faktin që besueshmëria e qytetarëve në institucionet e drejtësisë ka rënë jashtëzakonisht shumë, vetingu është më se i domosdoshëm që të ndodhë pasi që kjo tashmë është edhe kërkesë shoqërore dhe nuk ka aspak dilemë se a duhet apo jo të ketë veting. Në këtë drejtim, ministrja theksoi se tashmë ka aprovuar grupin punues për vetingun në sistemin e drejtësisë dhe po ashtu falënderoi përfaqësuesit e institucioneve, si dhe përfaqësuesit e shoqërive civile që kanë aplikuar për tu bërë pjesë e kësaj trupe që ky proces të dal sa më efikas dhe të prodhoj rezultatet e dëshiruara.

Më gjerësisht, ministrja shprehu se fillimisht është duke u hartuar koncept-dokumenti, i cili do të votohet në qeveri, dhe pastaj do të hartohet edhe projektligji apo amendamentet kushtetuese.

“Sfida e parë që do ta kemi do të jetë: a do të shkojmë ne ndryshime kushtetuese apo ligjore”, theksoi Ministrja.

Për këtë arsye, sipas ministres, pashmangshëm duhet ta kemi planin B, marrë parasysh faktin që për ndryshimet kushtetuese përveçse votimit nga 2/3 e kuvendit, duhen edhe 2/3 e votave jo-shumicë.

Adresimi i luftës së krimit të organizuar dhe korrupsionit është drejtimi tjetër për të cilën tashmë është votuar edhe koncept-dokumenti për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, ndërsa sot do të themelohet edhe grupi punues për hartimin e projektligjit.

Adresimi i krimeve të luftës, është sfera tjetër me të cilën do të angazhohet Ministria e Drejtësisë. Ndonëse kanë kaluar mbi 20 vite prej përfundimit të luftës, ka vetëm 4 prokurorë që merren me krimet më monstruoze që kanë ndodhë gjatë asaj periudhe. Ky numër është tejet i vogël për të adresuar krimet e mëdha që kanë ndodhë. Për të fuqizuar angazhimin në këtë drejtim, pritet që diku nga mesi i këtij muaji të themelohet edhe grupi punues për institutin për krimet e kryera në Kosovë, ndërkaq paralelisht po punohet në fuqizimin e prokurorisë speciale për adresim të këtyre krimeve, ndërkaq deri tani është proceduar plotësim ndryshimin për kodin e procedurës penale, që do të krijoj mundësinë për gjykim në mungesë.

Adresimi i dhunës në familje është po ashtu njëra ndër prioritetet për të cilat do të ketë një angazhim të përkushtuar në mënyrë që rastet e dhunës gjinore apo dhunës në familje të mos mbesin si raste të izoluara, por shteti përmes mekanizmave institucional të parandaloj një fenomen të tillë që vazhdon ta ndjekë ende shoqërinë tonë në Republikën e Kosovës. Tashmë është vendosur edhe koordinatorin nacional, njëherësh zëvendësministrja Nita Shala, dhe po punohet me duke punuar me institucionet të sigurisë dhe të drejtësisë për të ndërmarrë vendime konkrete me raste të tilla. Nevoja për veprim serioz dhe mos neglizhencë është determinues për të shënuar progres në këtë drejtim, duke filluar nga policia, prokuroria e deri tek vendimet gjyqësore.

Ministrja pati rastin të iu përgjigjet edhe pyetjeve të ndryshme që u shtruan gjatë këtij diskutimi.

Skip to content