Skip to content
Diskutim nga tryeza e organizuar nga GLPS: “Sundimi i ligjit në Kosovë: Cilat janë prioritetet e Qeverisë së re?”   

Diskutim nga tryeza e organizuar nga GLPS: “Sundimi i ligjit në Kosovë: Cilat janë prioritetet e Qeverisë së re?”  

Prishtinë, 20/04/2021

Krahas Ministres së Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu, diskutimi u zhvillua edhe nga panelistët tjerë z. Besnik Krasniqi, znj. Rreze Hoxha Zhuja dhe znj. Njomza Arifi.

Duke listuar prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë, Ministrja theksoi nevojën e pashmangshme për vetting në sistemin e drejtësisë, hartimin e ligjit për pasurinë e pajustifikueshme të fituar në mënyrë të jashtëligjshme, miratimin dhe implementimin e Rishikimit Funksional të Sistemit të Sundimit të Ligjit, fuqizimin institucional të veprimit lidhur me krimet e luftës, përfshirë këtu edhe zbatimin e mirëfilltë të Strategjisë kundër Dhunës në Familje.

Gjatë konferencës, Ministrja Haxhiu theksoi që më nuk ka vend për diskutime mbi atë sa është i nevojshëm vettingu në sistemin e drejtësisë. Një gjë e tillë, vije si përgjigje ndaj pakënaqësisë së qytetarëve me sistemin e drejtësisë dhe do shërbejë si pikënisje për kthimin e besimit aq të munguar të qytetarëve në drejtësi.

Më tutje, Ministrja Haxhiu e bëri të qartë që vettingu do jetë proces i gjatë dhe në këtë drejtim, konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme nuk mund të presë mbarimin e këtij procesi. Sipas Ministres, ndër elementet thelbësore të sundimit të ligjit është edhe përgjegjësia para ligjit për pasurinë e fituar në mënyrë të jashtëligjshme, e cila si e tillë do konfiskohet me vendim të gjykatës dhe në asnjë mënyrë tjetër.

Krimet e luftës, në anën tjetër, janë prioritet i Ministrisë dhe në këtë drejtim, Ministria do bëjë të pamundurën që të ngritë kapacitetet e Prokurorisë Speciale duke shtuar numrin e prokurorëve, dhe rrjedhimisht, duke fuqizuar kështu ndjekjen e krimeve të luftës. Ky veprim veçse është komplementuar me amendamentin e Kodit Penal, për ndjekjen e kryesve të krimeve të luftës në mungesë.

Siç e bëri të qartë Ministrja Haxhiu, Ministria e Drejtësisë do të përcjellë për së afërmi çështjen e dhunës në familje dhe përmes mekanizmave në dispozicion, do të sigurohet që përgjigja institucionale në këtë drejtim e me të edhe parandalimi i kësaj vepre, të jetë më e fuqishme se kurrë.

Ky diskutim u ndiq live edhe nga përfaqësuesit e sistemit gjyqësor dhe prokurorial, si dhe partnerët zhvillimor e strategjik.

Foto Galeria

Skip to content