Grupi Punues i themeluar nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, ka mbajtur takimin me anëtarë të grupit punues, deputetë, përfaqësues institucional dhe të shoqërisë civile, për të diskutuar për Projektligjin për Akademinë e Drejtësisë.
Në këtë takim kanë marrë pjesë përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë,z.Lulzim Beqiri, z. Rinor Gjergji si dhe eksperti z.Rinor Hoxha.
Gjatë takimit u diskutuan çështje që lidhen me organizimin, funksionimin dhe pavarësinë institucionale të Akademisë së Drejtësisë, përbërjen dhe kompetencat e organeve të saj drejtuese dhe programore, si dhe forcimin e sistemit të trajnimit fillestar dhe të vazhdueshëm për gjyqtarët, prokurorët dhe profesionistët e tjerë të sistemit të drejtësisë.
Në hartimin dhe shqyrtimin e Projektligjit është synuar avancimi i kornizës ligjore për funksionimin e Akademisë, duke marrë për bazë rekomandimet e Komisionit të Venecias, standardet relevante të Këshillit të Evropës dhe praktikat krahasuese evropiane.
Pesë projektligjet e Pakos së Ligjeve të Reformës në Drejtësi, pjesë e të cilës është edhe Projektligji për Akademinë e Drejtësisë, së shpejti do të procedohen për votim në lexim të dytë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Miratimi i tyre përbën një hap të rëndësishëm drejt avancimit të reformës në drejtësi, me qëllim të rritjes së llogaridhënies, efikasitetit, profesionalizmit dhe integritetit në sistem të drejtësisë.
Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë të kontribuojë në procesin parlamentar të shqyrtimit të Projektligjit, në funksion të avancimit të reformave.